Analisti Aulon Kalaja ka komentuar në një intervistë për News24 mesazhin e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt, gjatë takimit të tij me të rinjtë, duke e cilësuar atë si një sinjal pozitiv në raport me situatën politike në Shqipëri.

Kalaja u shpreh se takimi me studentët nuk ishte i rastësishëm dhe se mesazhi i ambasadorit mund të lexohet si një mbështetje për protestat dhe shqetësimet e qytetarëve.

Ai shtoi se pret që ambasadori amerikan të mbajë një qëndrim në mbështetje të qytetarëve shqiptarë dhe jo të partive politike, duke theksuar se integrimi në Bashkimin Europian është një aspiratë e përbashkët.

“Ka dhënë diagnozën e politikës shqiptare. Pra është një mbështetje për protestës, për shkak se mund të kishte zgjedhur të takonte dikë tjetër dhe jo studentë. E shoh si lëvizje pozitive, megjithëse pres një rol më proaktiv. Pata njëfarë besimi që ky ambasador e njihte problemin shqiptar, por problemi është se sa në krah të shqiptarëve do të dalë. Jo në krah të partive politike. Ata janë shqiptarë dhe e duan Shqipërinë në BE më shumë se çdokush tjetër”, tha ai.

Gjatë intervistës, analisti komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së tij në Dublin, veçanërisht pretendimet për një mandat të fortë qeverisës.

Kalaja ngriti pikëpyetje mbi legjitimitetin e këtij mandati, duke përmendur akuzat për ndikimin e krimit të organizuar dhe parave të drogës në zgjedhje, si dhe çështjet që, sipas tij, janë në hetim nga SPAK.

“Çfarë do të thotë një mandat i fortë? Mandat i krimit, mandat me paratë e drogës , me grupe kriminale, Sa deputetë të Ramës janë sot në SPAK për çështjen e zgjedhjeve. Deputetja e Elbasanit, doli më e votuara në burgun e Elbasanit dhe sot ka çështje penale, por sa deputetë të tjerë i ka vendosur krimi i organizuar… Pra këto janë mandat i fortë? Por shqiptarët sot janë të pakënaqur dhe në rast se ka 800 mijë vota, përse nuk e provon me zgjedhje të parakohshme. Rama ka përçarë edhe PS, në sytë e ndërkombëtarëve autokrat?!”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb