Skema 50 milionë euro e call center-ave të Amant Josifit, Merxhan Çeliku sot i lirë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 12.11.2026, 18:12

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për t’i zbutur masën e sigurisë Merxhan Çelikut, duke e nxjerrë nga qelia e paraburgimit për ta sistemuar në komoditetin e arrestit të shtëpisë, është një shuplakë e pastër për vetë idenë e drejtësisë së pakompromis dhe një tallje e hapur me bashkëpunimin ndërkombëtar.

Këtu nuk kemi të bëjmë me një kundërvajtje banale, por me një nga hallkat e dyshuara të një makinerie kriminale të mirëorganizuar, e cila përmes mashtrimit të sofistikuar me call center-a dhe kriptovaluta u zhvati mijëra qytetarëve europianë shuma marramendëse që kapnin vlerën e 50 milionë eurove në çdo tremujor. Është paradoksale dhe revoltuese që një strukturë e tillë, e cila e damkosi Shqipërinë në hartën e krimit kibernetik ndërkombëtar bashkë me Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Maqedoninë e Veriut, të trajtohet me kaq lehtësi procedurale nga togat e zeza.

Akoma më skandaloz është fakti se ky individ nuk u dorëzua vullnetarisht, por u deshën dy vite arrati, alarme të Interpolit dhe angazhimi i autoriteteve të Abu Dhabit për ta kapur dhe ekstraduar në Tiranë. Të lirosh nga qelia një personazh që ka treguar qartë se di dhe mund t’i fshihet drejtësisë, me argumentin formal të zëvendësimit të masës, do të thotë të hedhesh në kosh të plehrave punën e prokurorëve të SPAK-ut, Eurojust-it, Europol-it dhe Guardia Civil spanjolle. Kur drejtësia shqiptare tregohet kaq zemërgjerë me personat e akuzuar për zhvatjen e dhjetëra milionë eurove, mesazhi që përcillet është i qartë: rreziku i arratisjes zhduket magjikisht sapo dosja hyn në labirintet e gjykatave tona.

Ky standard i dyfishtë tregon se sistemi ynë i drejtësisë mbetet i fortë dhe i pamëshirshëm vetëm me hallexhinjtë e vegjël, ndërsa përballë të dyshuarve të skemave me miliona euro gjen gjithmonë një shteg ligjor për t’u zbutur. Edhe pse formalisht procesi penal vazhdon dhe ky vendim nuk e shpall të pafajshëm të pandehurin, praktika ka treguar se kalimi nga qelia në shtëpi është hapi i parë drejt zvarritjes pafund të gjyqeve dhe zbehjes së përgjegjësisë penale. Në vend që të ishte një shembull ndëshkueshmërie, kjo dosje po kthehet në dëshminë e radhës se në Shqipëri, sa më e madhe të jetë shuma e vjedhur, aq më të buta bëhen prangat e ligjit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit