Duket se Bordi i Transparencës ka gjetur një mënyrë të re për t'u kujdesur për xhepat e shqiptarëve: një ditë u jep një ulje të vogël, ndërsa të nesërmen ua merr mbrapsht dhe ca më shumë.
Vetëm një ditë pasi vendosi të ulte me 3 lekë çmimin e naftës, nga 208 në 205 lekë për litër, Bordi ka vendosur sot një rritje prej 5 lekësh. Kështu, nafta do të shitet deri në 210 lekë për litër, pra 2 lekë më shtrenjtë se përpara uljes së djeshme.
Edhe benzina pëson rritje, ndonëse më të vogël. Nga 164 lekë për litër që ishte caktuar dje, çmimi maksimal shkon sot në 165 lekë. Ndërsa gazi për automjetet mbetet i pandryshuar, në 71 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 12 nëntor, në orën 18:30 dhe do të qëndrojnë deri në vendimmarrjen e radhës së Bordit.
Me pak fjalë, qytetarët patën vetëm një ditë për të shijuar uljen e shpallur me aq bujë, përpara se Bordi t'u servirte faturën e radhës. Me këtë ritëm, shqiptarët nuk e kanë të lehtë të kuptojnë nëse Bordi po i mbron nga luhatjet e çmimeve apo po i mban në një lojë ku çmimet ndryshojnë nga një ditë në tjetrën.
Ndërkohë, qeveria dhe institucionet përgjegjëse vijojnë ta paraqesin këtë mekanizëm si një mënyrë për mbrojtjen e konsumatorëve. Por për qytetarët që furnizojnë makinat çdo ditë, rëndësi nuk kanë njoftimet dhe tabelat e reja, por sa para u mbeten në xhep në fund të muajit.