Meta sulmon ashpër Yuri Kim: Armike e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë
Ish-presidenti Ilir Meta ka rikthyer në qendër të mbrojtjes së tij pretendimet për një komplot të ndërkombëtarëve kundër tij, duke përmendur sërish ish-ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, dhe ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal. Gjatë parashtrimeve në gjykatë, Meta pretendoi se hetimi i zhvilluar nga SPAK është ndikuar nga këta dy emra, ndërsa ndaj ish-diplomates amerikane përdori akuza të ashpra, duke e cilësuar “armike të përbetuar të Shqipërisë dhe në shërbim të Serbisë”.
Në të njëjtën çështje penale ndodhet edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila doli në mbështetje të deklaratave të Metës. Edhe pse ky i fundit iu drejtua asaj me një formulim formal, duke përdorur shprehjen “zonja”, Kryemadhi konfirmoi pretendimet e tij për ndërhyrje nga përfaqësues të huaj gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Presidentit të Republikës.
Një tjetër episod që Meta solli në vëmendje lidhet me përplasjen institucionale për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Ai pretendoi se, gjatë presidencës së tij, pesë përfaqësues të ambasadave të huaja e kishin kërcënuar që të mos dekretonte Marsida Xhaferllarin, por të mbështeste emërimin e Arta Vorpsit, e cila në atë periudhë ishte pjesë e konfliktit për plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese.
Kryemadhi konfirmoi në sallën e gjyqit se kishte dijeni për këtë episod dhe deklaroi se pretendimet e Metës ishin përcjellë prej saj edhe pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.
“U kërcënua në mënyrë të njëanshme, duke përdorur instrumentet e ambasadave që jetonin në Shqipëri ose funksiononin në Shqipëri. Kjo është e vërtetë faktikisht dhe informimin e këtij mesazhi e kam bërë unë në Departamentin e Shtetit”, deklaroi Kryemadhi.
Kryemadhi mbyll mbrojtjen, kundërshton provat për lobimin
Gjatë seancës, Monika Kryemadhi përfundoi parashtrimet e saj, të cilat i ka nisur që në muajin korrik dhe i ka paraqitur personalisht përpara gjykatës.
Në themel të mbrojtjes së saj qëndron kundërshtimi i provave që lidhen me lobimin përmes kompanisë G.S.I.S. Kryemadhi kërkoi gjithashtu kryerjen e një ekspertimi financiar të dokumentacionit, duke vënë në diskutim mënyrën e interpretimit të të dhënave që janë pjesë e dosjes.
Nga ana tjetër, Ilir Meta kërkoi që në proces të përfshihen si prova të reja edhe vendimi i fajësisë dhe dënimit të Kastriot Ismailajt. Ai kërkoi gjithashtu marrjen e dëshmive të tjera pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë, me synimin për të mbështetur pretendimet e tij në lidhje me mënyrën se si është zhvilluar hetimi.
Tedi Blushi: Meta po mbahet në paraburgim për arsye politike
Pas përfundimit të seancës, Tedi Blushi përsëriti qëndrimin e mbrojtjes, duke pretenduar se ndaj ish-presidentit nuk ekzistojnë prova për kryerjen e veprave penale. Ai e cilësoi procesin si politik dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se qëndron pas mbajtjes së Metës në paraburgim.
“U rikonfirmua i njëjti qëndrim: ndaj zotit Meta nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt penal. Nuk është sekuestruar asnjë qindarkë e paligjshme dhe asnjë metër katror pasuri. Pra, kemi të bëjmë thjesht me një proces politik, të diktuar nga Edi Rama, i cili e mban qëllimisht në paraburgim, duke e vendosur në kushtet e persekutimit politik”, deklaroi Blushi.
Seanca e radhës është caktuar më 26 nëntor. Në këtë datë pritet që SPAK të paraqesë kundërshtimet ndaj parashtrimeve të mbrojtjes. Gjykata do të përcaktojë gjithashtu mënyrën se si do të vijojë shqyrtimi gjyqësor, nëse do të procedohet fillimisht me administrimin e provave shkresore apo me thirrjen dhe dëgjimin e dëshmitarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



