Mesfushori Lutfi Dalipi ka vendosur që në arenën ndërkombëtare të përfaqësojë Kosovën, mëson Telegrafi.
Futbollisti ka qenë një nga emrat më të përfolur të këtij sezoni në Zvicër, ku është shndërruar në sensacion. Ai i habiti të gjithë kur nuk pranoi ftesën e përfaqësueses U21 të Zvicrës dhe njoftoi federatën zvicerane se dëshironte të luante për Kosovën ose Shqipërinë, në përmbushje të një premtimi që i kishte bërë gjyshit.
Të lidhura
None found
Tashmë vendimi është marrë: Dalipi do t’i bashkohet Kosovës. Sipas informacioneve të Telegrafit, lojtari nga Presheva do të mbërrijë të premten në Prishtinë. Një ditë më pas, në orën 15:00, ai do të jetë në stadiumin “Fadil Vokrri” për të ndjekur ndeshjen e Ligës së Kombeve mes Kosovës dhe Izraelit.
Gazetari Lavdim Pireva e bëri të ditur lajmin në podcastin “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit. “Pas tri prurjeve të fundit që kemi përmendur, Enis Rexhepit, Bleon Kurtulusit dhe Lindrit Kamberit, afrimi i radhës i Kosovës është Lutfi Dalipi. Jam 100 për qind i bindur se në mars ai do të jetë lojtar i Kosovës. Për shikuesit e ‘Arena e Yjeve’, mund të konfirmoj ekskluzivisht se do të jetë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ për të parë nga afër përfaqësuesen dardane në sfidën kundër Izraelit”, deklaroi ai.
Pireva vlerësoi edhe sezonin e futbollistit: “Në këtë moment, ai është ndoshta ndër shqiptarët më në formë. Po kalon një sezon të jashtëzakonshëm te Vaduzi, ku është i huazuar nga Young Boys. Ka realizuar pesë gola dhe ka dhënë nëntë asistime, ndërsa me 36 driblime të suksesshme renditet ndër më të mirët në Evropë në këtë aspekt”.
Dalipi mund të sjellë një përforcim të rëndësishëm për “Dardanët”, pasi ka cilësi për të luajtur në disa pozita në repartin ofensiv.
Forma e tij e mirë mund ta çojë drejt një transferimi të rëndësishëm gjatë verës. Për shërbimet e tij, sipas raportimeve, interesohen klube të Bundesligës si RB Leipzig, Hoffenheim dhe Eintracht Frankfurt.
Kush është Dalipi, 20-vjeçari që zgjodhi Kosovën para Shqipërisë?
Që prej nisjes së sezonit, si Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ashtu edhe Federata Shqiptare (FSHF), e kanë monitoruar vazhdimisht lojtarin.
Përzgjedhësit e të dyja përfaqësueseve kanë komunikuar me të, duke i shprehur dëshirën që ta kenë sa më shpejt në ekip. Ronaldo Maran udhëtoi gjithashtu në Zvicër me presidentin Armand Duka, ku u takuan me Dalipin dhe me Samuel Krasniqin e Grasshoppers.
Megjithatë, burime bëjnë të ditur se Dalipit i është dukur më bindës projekti i Kosovës. Pas disa ditësh konsultimesh me familjen, ai u ka kthyer përgjigje pozitive “Dardanëve”.
Kështu, Dalipi pritet të jetë në dispozicion të Kosovës nga muaji mars, kur nisin zyrtarisht kualifikueset për Kampionatin Evropian “Euro 2028”.
Interesim i madh nga klubet gjermane
Talenti nga Presheva ndiqet nga klube në shumë vende të Evropës, por vëmendjen kryesore e ka tërhequr Bundesliga.
Sipas mediave zvicerane, Leipzig, Hoffenheim dhe Frankfurt kanë kontaktuar tashmë me Lutfi Dalipin. Në vëmendjen e tyre për të qëndrojnë edhe Fiorentina dhe Betisi.
Aktualisht, synimi i lojtarit është ta mbyllë sezonin me Vaduzin. Më pas do të rikthehet te Young Boys dhe do të vendosë për hapin e radhës në karrierë.








