26 mijë vaksina kundër gripit kanë mbërritur javën e kaluar në Slloveni dhe pritet që nesër, ose më së voni të hënën, të jenë në dispozicion në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha procedurat dokumentare janë përfunduar, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Ai theksoi se ende ka vaksina në dispozicion nga furnizimi i parë dhe se tani mund të përshpejtohet procesi i vaksinimit.


“Deri më tani kemi arritur në rreth 20 mijë persona të vaksinuar. Do të sigurohet edhe blerja e 30 mijë vaksinave të tjera kundër gripit. Pres që nesër ose të hënën të marrim vendim nëse një pjesë e vaksinave do të vihen në dispozicion edhe për grupet që nuk bëjnë pjesë në kategoritë e rrezikut.Me furnizimin përfundimtar prej 30 mijë vaksinash, do të kemi gjithsej 86 mijë vaksina në dispozicion. Deri më tani, asnjëherë nuk janë vënë në dispozicion më shumë se 80 mijë vaksina, prandaj do të bëjmë një vlerësim për t’iu përgjigjur kërkesave të caktuara, në mënyrë që vaksinat të jenë të disponueshme edhe jashtë grupeve të rrezikut, me pagesë private”, shtoi Klekovski.