Hegseth nderon me medalje ushtarin që e qortoi në Varrezat e Arlingtonit (VIDEO)

12 Nëntor 2026 | 18:49

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka nderuar me një medalje ushtarin që e qortoi atë dhe anëtarët e stafit të tij për mungesë respekti në Varrin e Ushtarit të Panjohur, në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.

Të enjten, Hegseth i akordoi Specialistit Thomas Iglesias Medaljen e Lavdërimit për Shërbimin e Përbashkët, në shenjë vlerësimi për mënyrën se si ai zbatoi detyrën gjatë ceremonisë së Ditës së Veteranëve, më 11 nëntor 2026.

“Ne i duam ushtarët. Ne i duam standardet. Bravo, Specialist. Vazhdoni përpara, Patriotë”, shkroi Hegseth në një postim në rrjetet sociale.

Një zyrtar i Pentagonit konfirmoi se Hegseth priti në ambientet e institucionit Regjimentin e 3-të të Këmbësorisë, të njohur si Garda e Vjetër, ku i dorëzoi Iglesias medaljen për kryerjen me korrektësi të detyrave të tij në Varrin e Ushtarit të Panjohur.

Ngjarja që çoi në këtë vlerësim ndodhi të mërkurën, gjatë vizitës së Hegseth në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ku ai shoqërohej nga bashkëshortja dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij të afërt.

Pas një ceremonie për Ditën e Veteranëve, grupi po realizonte fotografi përpara memorialit. Pasi përfunduan fotot, disa prej tyre u dëgjuan duke biseduar dhe qeshur, duke tërhequr vëmendjen e ushtarit që ruante varrin.

Specialisti Iglesias ndërpreu patrullimin, u kthye nga grupi dhe u kërkoi të respektonin rregullat e vendit.

“Të gjithë vizitorët do të ruajnë një atmosferë heshtjeje dhe respekti në çdo kohë”, ishte paralajmërimi i tij.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, reagoi pas incidentit, duke vlerësuar sjelljen e ushtarit. Sipas tij, Iglesias u kujtoi të pranishmëve, me korrektësi dhe respekt, rëndësinë e ruajtjes së etikës në këtë memorial.

Varri i Ushtarit të Panjohur është një nga memorialet më të rëndësishme dhe më të shenjta të luftës në Shtetet e Bashkuara. Ai nderon ushtarët amerikanë të rënë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, dhe vizitohet rregullisht nga politikanë, personalitete të huaja dhe figura të rëndësishme publike.

Ruajtja e memorialit është një detyrë që kryhet 24 orë në ditë nga ushtarët e Regjimentit të 3-të të Këmbësorisë, Garda e Vjetër, që prej vitit 1948. Një prej përgjegjësive të tyre është edhe garantimi i heshtjes dhe respektit nga të gjithë vizitorët që afrohen pranë varrit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Aksident tragjik në Emiratet e Bashkuara Arabe, 14 të vdekur dhe 30 të plagosur

Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor në Emiratet e Bashkuara...
18:30 | 12/11/2026

Robotë humanoide në tunelet e Hamasit në Gaza (VIDEO)

Një kompani në të cilën ka investuar Eric Trump, djali i presidentit amerikan, është në bisedime me ushtrinë izraelite për të furnizuar robotë humanoide, të...
18:11 | 12/11/2026

Rrëzohet një helikopter ushtarak në Turqi, ekipet e shpëtimit mbërrijnë në vendngjarje (VIDEO)

Katër ushtarë kanë humbur jetën pasi një helikopter ushtarak i tipit S-70 u rrëzua të enjten pasdite (12 nëntor) në provincën e Malatya-s, në lindje...
17:50 | 12/11/2026