Legjenda e skive, Lindsey Vonn, ka ndarë me ndjekësit një përditësim të ri për gjendjen e saj shëndetësore, pasi iu nënshtrua operacionit të nëntë në këmbë, pas aksidentit të rëndë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.
37-vjeçarja publikoi në Instagram një fotografi të pllakave metalike dhe vidave që mjekët i hoqën gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Ajo ndau gjithashtu një video ku shfaqej këmba e saj e djathtë e mbështjellë me fasha, pas përfundimit të operacionit.
“E hoqa gjithë këtë dreq nga këmba ime”, shkroi Vonn, duke iu referuar materialeve metalike që kishte në këmbë pas ndërhyrjeve të mëparshme.
Disa ditë përpara operacionit, ish-kampionia amerikane kishte bërë të ditur se ndërhyrja kishte si qëllim heqjen e të gjitha pllakave dhe vidave të vendosura më parë në gju, në mënyrë që mjekët të përgatitnin terrenin për rindërtimin e ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL).
Të mërkurën, Vonn konfirmoi se operacioni kishte shkuar mirë, duke premtuar se së shpejti do të jepte më shumë detaje për gjendjen e saj.
Makthi i saj nisi gjatë një gare të Kupës së Botës, ku pësoi këputje të ligamentit ACL, vetëm pak kohë përpara Lojërave Olimpike. Megjithatë, ajo nuk hoqi dorë nga ëndrra për të garuar në Milano-Cortina 2026.
Por rikthimi në pistë përfundoi në mënyrë dramatike. Vetëm 14 sekonda pas nisjes së garës së tatëpjetës, Vonn humbi kontrollin dhe u rrëzua rëndë, duke u transportuar me helikopter drejt spitalit.
Ajo pësoi fraktura komplekse të tibias dhe fibulës, si dhe një frakturë në kyçin e këmbës së djathtë. Dëmtimet kërkuan disa ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa mjekët kishin shprehur fillimisht shqetësimin se në rastin më të rëndë mund të rrezikohej edhe amputimi i këmbës.
Pavarësisht gjithçkaje që ka kaluar, Vonn nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në ski. Në karrierën e saj olimpike, ajo ka fituar tri medalje, përfshirë medaljen e artë në garën e tatëpjetës në Lojërat Olimpike të Vankuverit në vitin 2010.

© SYRI.net
Belgjika përmbys Turqinë, supergoli i Arda Guler nuk mjafton për vendasit
Italia-Francë, publikohen formacionet zyrtare: Barella titullar, vëllezërit Esposito në sulm
Zbardhet formacioni zyrtar i Shqipërisë ndaj Finlandës, Maran bën disa ndryshimeBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: