Dy fëmijë janë mes tetë personave që humbën jetën pas shembjes së një pallati banimi në Nju Jork, thanë zyrtarët të enjten, ndërsa ekipet e shpëtimit vijonin kërkimet intensive për të mbijetuar të mundshëm, pavarësisht shiut.
Ekipet e Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut (FDNY) vazhdonin operacionin e shpëtimit më shumë se 20 orë pas shembjes së rëndë në adresën 1321 Flatbush Avenue, në Brooklyn, bashkinë më të populluar të qytetit, shkruan NBC.
“Do të qëndrojmë këtu derisa të jemi 100% të sigurt se nuk ka më njerëz të bllokuar”, u tha gazetarëve komisionerja e FDNY-së, Lillian Bonsignore. “Për të qenë të qartë, ne nuk kemi kaluar nga operacioni i shpëtimit në atë të nxjerrjes së trupave. Jemi ende në fazën e kërkim-shpëtimit.”
Gjashtë nga tetë viktimat u shpallën të vdekura në vendngjarje, tha kryebashkiaku Zohran Mamdani. Dy të tjerët humbën jetën në spital.
Përpara se të takohej me gazetarët në vendngjarje, Mamdani tha se kishte vizituar viktimat që po merrnin trajtim në spital.
“Ka qenë një mbrëmje dhe mëngjes shumë i zymtë për qytetin tonë”, tha ai. “Po vajtojmë humbjen e shumë njerëzve që i kemi dashur dhe, ndërsa përjetojmë dhimbjen dhe rindërtojmë, do ta bëjmë këtë së bashku, si një qytet i vetëm.”
Sipas kryebashkiakut, mes gjashtë viktimave të rritura ishin edhe dy punëtorë ndërtimi.
Nga shembja u plagosën 18 persona, katër prej të cilëve zjarrfikës dhe 14 civilë. Njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje kritike.
“Kjo është një tragjedi shkatërruese për Nju Jorkun dhe lutjet tona janë me ata që po marrin trajtim në spital dhe me ata që kanë humbur jetën”, tha Bonsignore. “FDNY-ja ndan dhimbjen me familjet e tyre dhe premtojmë se do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe nuk do të ndalemi derisa të gjithë të shpëtohen ose të nxirren nga rrënojat.”

Ndërtesa trekatëshe e banimit u shemb rreth orës 16:00 të së mërkurës, sipas orës lindore të SHBA-së, duke shkaktuar një mobilizim masiv të zjarrfikësve dhe ekipeve të tjera të shpëtimit.
Zyrtarët thanë se të enjten ekipet e shpëtimit do të përdornin makineri më të rënda për gërmimin e rrënojave, të cilat pritet të ndihmojnë në gjetjen e trupave ose të të mbijetuarve të tjerë.
“Ne gjithmonë supozojmë se mund të ketë ende njerëz aty, derisa të arrijmë të aksesojmë terrenin”, tha Bonsignore. “Prandaj, derisa të largojmë një pjesë të rrënojave më të mëdha dhe të mund të kërkojmë poshtë tyre, ky do të mbetet një operacion shpëtimi.”
Shiu i pandërprerë që përfshiu Nju Jorkun të enjten mund të ngadalësonte përpjekjet e shpëtimit, por Bonsignore këmbënguli se ekipet do ta përballonin edhe këtë vështirësi.
“Jemi në mes të një stuhie shiu, por kjo nuk do t’i ndalojë operacionet tona këtu”, tha ajo. “Padyshim që do t’i vështirësojë përpjekjet tona. Por anëtarët tanë stërviten gjerësisht për emergjenca të këtij lloji.”
Ndërtesa e shembur, e cila kishte një biznes në katin përdhes dhe dy kate me apartamente banimi sipër, ndodhej pranë një kantieri gërmimi, ku një ndërtesë njëkatëshe ishte shembur ose ishte hequr paraprakisht.
“Do të zbulojmë se çfarë ka ndodhur dhe do t’ua bëjmë të ditur këtë informacion njujorkezëve”, tha Mamdani.
Sipas kryebashkiakut, në projektin e gërmimit ishin të përfshira “pesë subjekte kryesore”, me ekipe nga këto kompani që punonin në rreth 100 kantiere ndërtimi në të gjithë Nju Jorkun.
“Departamenti ynë i Ndërtesave po nis sot inspektimet në këto kantiere”, tha Mamdani.

Operacioni i kërkim-shpëtimit ndikoi edhe te banesat përreth. Furnizimi me ujë u ndërpre në 100 ndërtesa aty pranë, “në mënyrë që ekipet e emergjencës të mund të vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”, sipas një deklarate të Departamentit të Mbrojtjes së Mjedisit të Nju Jorkut, të publikuar të enjten.
Ndërsa disa banorë të Flatbush Avenue, të zhvendosur pas shembjes së së mërkurës, u lejuan të ktheheshin në banesat e tyre, tri ndërtesa vazhdonin të ishin nën urdhërin për evakuim dhe një pjesë e madhe e lagjes vijonte të ishte e prekur nga ndërprerjet të enjten.
Pesë linja autobusësh janë devijuar, ndërsa qarkullimi në Flatbush Avenue mbetej i bllokuar në segmentin mes Clarendon Road dhe Bedford Avenue, tha Mamdani.
“Dua të ndalem për një çast për të kujtuar ata që i kemi humbur në mënyrë kaq të pakuptimtë”, tha Mamdani. “Ata ishin miqtë dhe fqinjët tanë, prindër dhe fëmijë, familje të reja që po ndërtonin jetën e tyre në qytetin tonë, si dhe emigrantë nga Meksika, Kolumbia, Ekuadori, Trinidadi dhe vende të tjera. Le të vazhdojmë të qëndrojmë pranë atyre që janë zhytur në një dhimbje të paimagjinueshme dhe të lutemi për shërim të plotë dhe të shpejtë për çdo njujorkez të plagosur.”
Shkaku i shembjes nuk ishte bërë ende i qartë, por Mamdani tha se Departamenti i Ndërtesave i qytetit do të kryente një hetim të plotë si për kantierin e ndërtimit, ashtu edhe për ndërtesën e shembur.