Zhdukja e “Ditarit të Kuq” të Paolo Borsellino-s, kontrollohet banesa e ish-kreut të Policisë italiane, Gianni De Gennaro

Europë | 29 minuta më parë

Karabinierët e Njësisë së Operacioneve Speciale (ROS) kanë ekzekutuar mëngjesin e së enjtes gjashtë urdhër-kontrolle në provincën e Romës, me urdhër të Prokurorisë së Caltanissetta-s, në kuadër të hetimeve për masakrën e Via D’Amelio dhe zhdukjen e “Ditarit të Kuq” të gjyqtarit antimafia, Paolo Borsellino.

Sipas raportimeve të agjencisë italiane “ANSA“, kontrollet kanë përfshirë ambientet në pronësi të ish-Shefit të Policisë, Gianni De Gennaro, si dhe të informatorit të drejtësisë, Salvatore Contorno. Në listën e subjekteve të kontrolluara bëjnë pjesë gjithashtu bashkëpunëtorja e De Gennaro-s, Donatella Peruzzi, oficeri i tij i mbrojtjes personale, Massimo Carnicelli, dhe ish-inspektori i policisë, Francesco Pacetto.

Hetimi, i cili koordinohet nga prokurori Salvatore De Luca, ka në fokus zbardhjen e përgjegjësive të mundshme të ish-pjesëtarëve të strukturave institucionale që vepronin në varësi të ish-kreut të Skuadrës Fluturuese të Palermos, Arnaldo La Barbera.

Objektivi i kësaj faze hetimore është verifikimi i rolit të këtyre strukturave në pengimin e hetimeve për atentatin e Via D’Amelio, si dhe hedhja e dritës mbi zhdukjen e “Ditarit të Kuq” ku gjyqtari Borsellino mbante shënimet e tij konfidenciale.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme