Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot ndaj Finlandës, në një përballje me rëndësi të veçantë për objektivat e saj në Ligën e Kombeve. Ndeshja do të nisë në orën 20:45 dhe një rezultat pozitiv mund t’i japë kuqezinjve një avantazh të rëndësishëm në garën për vendin e parë në Grupin C1.
Kreu i grupit siguron ngjitjen në një ligë më të lartë, një pozicion më të favorshëm në shortin e kualifikueseve të Europianit, si dhe një mundësi të garantuar përmes fazës play-off.
Trajneri Maran pritet të mbështetet te formacioni bazë, me pak ndryshime në krahasim me ndeshjet e fundit. Në portë rikthehet Etrit Berisha, i cili mungoi pas kartonit të kuq të marrë në përballjen e parë me Finlandën.
Në dispozicion të skuadrës është rikthyer edhe Qazim Laçi, i cili ka lënë pas dëmtimin. Ndërkohë, në krahun e majtë pritet të aktivizohen Pilo dhe Mitaj, me lojtarin e AEK-ut të pozicionuar më përpara.
Shqipëria synon të marrë një rezultat pozitiv në këtë përballje, për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt kreut të grupit në këtë edicion të Ligës së Kombeve.





