Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka shpallur përgjegjëse Zvicrën për përdorim joproporcional të forcës nga policia gjatë një arrestimi në Gjenevë, në vitin 2018. Si pasojë, shteti zviceran është detyruar t’i paguajë ankuesit afro 10 mijë franga dëmshpërblim, si dhe të mbulojë shpenzimet e tij ligjore.
Vendimi, i raportuar të enjten nga gazeta “Tribune de Genève” dhe portali Watson, lidhet me rastin e një banori të Gjenevës, i cili kishte probleme të shëndetit mendor dhe u përball me policinë gjatë një kontrolli tetë vite më parë.
Në dëshminë e tij, burri pretendoi se efektivët e kishin goditur me grushte në fytyrë, e kishin nxjerrë me forcë nga automjeti dhe kishin vijuar ta rrihnin edhe pasi e kishin vënë nën kontroll. Policët, nga ana tjetër, mohuan pretendimet se kishin ushtruar dhunë ndaj tij pasi e kishin prangosur.
Pavarësisht se burri ishte dënuar më vonë për sulm ndaj punonjësve të policisë, ai kishte ndjekur edhe rrugën ligjore kundër efektivëve për mënyrën se si ishte trajtuar gjatë arrestimit.
Hetimi i Inspektoratit të Policisë së Gjenevës (IGS) kishte dalë në përfundimin se ndërhyrja ishte e justifikuar, duke marrë parasysh rezistencën e të arrestuarit. Edhe gjykatat vendase, përfshirë Gjykatën Supreme Federale, kishin mbështetur vlerësimin se forca e përdorur ishte proporcionale.
Por Strasburgu nuk ndau të njëjtin qëndrim. GJEDNJ konstatoi shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose degradues. Gjykata vuri në dukje gjithashtu mangësitë në hetimin e zhvilluar nga autoritetet zvicerane pas incidentit.
Avokatja e ankuesit, Dina Bazarbachi, e cilësoi vendimin si një fitore të plotë, duke theksuar se pas tetë vitesh drejtësia evropiane njohu pretendimet që institucionet e Gjenevës nuk i kishin pranuar.
Ajo kërkoi gjithashtu krijimin e një mekanizmi të pavarur për hetimin e rasteve të dhunës policore, në mënyrë që raste të tilla të mos shqyrtohen vetëm nga struktura që lidhen me vetë policinë.










