Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit viziton Serbinë

12 Nëntor 2026 | 20:37

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, po qëndron në Beograd, njoftoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi.

“Presim me kënaqësi diskutime përmbajtjesore me partnerët tanë për të ardhmen e Serbisë, prioritetet e përbashkëta dhe mundësitë e reja për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Serbi lidhur me vizitën e tij.

Ambasada nuk sqaroi se me kë do të takohet Hanrahan gjatë qëndrimit të tij në Beograd.

Përfaqësuesit e Listës Studentore – subjektit që i fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit – njoftuan më herët se do të takohen me përfaqësues të Ambasadës amerikane dhe të Departamentit amerikan të Shtetit, si dhe me përfaqësues të Ambasadës së Italisë, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Tema të diskutimit thanë se do të jenë sundimi i ligjit dhe energjetika.

“Jemi të gatshëm të bisedojmë, të dëgjojmë mendime të ndryshme dhe të ndërtojmë partneritete, por vendimet për të ardhmen e Serbisë do t’i marrim në mënyrë të pavarur dhe me përgjegjësi, duke u udhëhequr vetëm nga interesat e qytetarëve të saj. Në marrëdhëniet ndërkombëtare duam partneritet, jo nënshtrim; duam bashkëpunim, jo bindje të verbër”, u tha në njoftimin e Lëvizjes Studentore.

Vizita e Hanrahanit zhvillohet në një moment të rëndësishëm politik për Serbinë, e cila po përgatitet për ndërrimin e pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.

Lista Studentore fitoi 140 nga 250 vendet në Kuvend, duke siguruar shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë, ndërsa lista e udhëhequr nga ish-presidenti Aleksandar Vuçiç mori 103 mandate.

Rezultati i dha fund sundimit shumëvjeçar të Partisë së tij Përparimtare Serbe, e cila ishte në pushtet që nga viti 2012.

Fitorja e studentëve erdhi pas një vale protestash kundër korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies.

Ndryshimi i pushtetit pritet të shënojë edhe një provë për politikën e jashtme të Serbisë, e cila gjatë udhëheqjes së Vuçiçit ka synuar të ruajë marrëdhëniet me Perëndimin, por pa hequr dorë nga lidhjet e ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur integrimin evropian të Serbisë dhe normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, por marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Beogradit janë ndikuar, ndër vite, edhe nga mospajtimet për politikën rajonale dhe raportet e Serbisë me Moskën.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zyra e BE-së në Kosovë reagon para votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e...
17:58 | 12/11/2026

Kurti takohet me Rutte-n në Dublin: Anëtarësimi i Kosovës në NATO i shërben paqes dhe sigurisë në rajon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në margjina të Samitit të nëntë të Komunitetit Politik Evropian,...
17:33 | 12/11/2026

Lista Studentore paralajmëron rishikimin e marrëveshjeve të Serbisë me Kosovën

Emilija Markoviç, kandidate e Listës Studentore, ka deklaruar se programi i fitueses së zgjedhjeve në Serbi parasheh që Gjykata Kushtetuese e vendit t’i rishikojë marrëveshjet...
17:00 | 12/11/2026