Vendosni fjalën kyçe....

Aksident tragjik në Emiratet Arabe, 14 të vdekur


Katërmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi drejtuesi i një kamioni humbi kontrollin e mjetit dhe goditi disa automjete në Fujairah, në Emiratet e Bashkuara Arabe, bëri të ditur Ministria e Brendshme.

Aksidenti përfshiu 23 automjete, mes tyre pesë kamionë, dhe ndodhi në hyrje të emiratit lindor, në kushtet e “trafikut të ngadalësuar”, pak para mesnatës, shtoi ministria në një deklaratë, shkruan BBC.

Përplasja bëri që “kamioni të përfshihej nga zjarri dhe flakët të përhapeshin në disa automjete të tjera, duke shkaktuar një numër të madh viktimash”, thuhej në deklaratë.

Tridhjetë persona u plagosën dhe u dërguan në spital, njoftoi Policia e Fujairahut, duke shtuar se për identifikimin e trupave të viktimave po përdoren analizat e ADN-së.

Disa prej viktimave ishin shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe, shtoi policia.

Konsullata indiane në Emiratet e Bashkuara Arabe tha se mes viktimave kishte edhe shtetas indianë. Ajo njoftoi se kishte kontaktuar me “familjet e të ndjerëve” dhe po bashkëpunonte me autoritetet vendase për t’u ofruar ndihmë dhe mbështetje.

Zyrtarët thanë se kamioni u përplas fillimisht me një automjet tjetër, përpara se të përmbysej dhe të godiste automjetet e tjera, të cilat kishin ndaluar për shkak të “trafikut të ngadalësuar” në rrugë.

Shërbimet e emergjencës, përfshirë policinë, ekipet e ndihmës së shpejtë dhe ato të mbrojtjes civile, mbërritën me urgjencë në vendngjarje për të shuar zjarrin, për të transportuar të plagosurit në spitale dhe për të siguruar zonën. Ekipet e specializuara vijojnë të jenë në terren.

Si Ministria e Brendshme, ashtu edhe policia shprehën ngushëllimet dhe keqardhjen e tyre më të thellë për familjet e viktimave, ndërsa të plagosurve u uruan shërim të shpejtë.

Gjysma e të plagosurve u larguan nga spitali pasi morën trajtimin e nevojshëm, ndërsa pjesa tjetër vijon të marrë kujdes mjekësor.

Autoritetet bënë të ditur se të plagosurit janë shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe, Omanit, Indisë, Brazilit, Pakistanit, Jordanisë dhe Egjiptit.