Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka komentuar pretendimet e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ka deklaruar se është kërcënuar nga ministri Toni Gogu, në emër të kryeministrit. Gjatë diskutimit, Lala u ndal te mungesa e një kallëzimi zyrtar nga ana e Veliajt për këtë çështje, duke vënë në pikëpyetje arsyet pse ai nuk iu është drejtuar institucioneve kompetente për të denoncuar pretendimin.
“Veliaj ka pretendime se është shantazhuar nga Toni Gogu në ambientet e burgut të Fierit. Por, nëse pyesim nëse ka një kallëzim nga ana e tij, përgjigjja është jo, të paktën deri tani”, u shpreh gazetarja. Lala komentoi gjithashtu qëndrimet e Veliajt lidhur me arrestimin e tij, duke theksuar se ai po përpiqet ta paraqesë situatën si një rast persekutimi politik.
“Narrativa e Veliajt është përqendruar te përpjekja për të treguar se është i persekutuar politik. Unë nuk ndaj të njëjtin mendim, pasi një i persekutuar politik mbahet në burg për bindjet e tij politike. Në rastin konkret, ekziston një vendim gjyqësor për mbajtjen e tij në burg”, deklaroi Lala. Një tjetër çështje e trajtuar gjatë emisionit ishte gjendja shëndetësore e kryebashkiakut. Sipas gazetares, kjo është një nga pikat kryesore ku është përqendruar mbrojtja e Veliajt dhe avokatit të tij, Plarent Ndreca.
Lala rikujtoi pretendimin e Ndrecës se Veliajt nuk po i mundësohet kryerja e një ndërhyrjeje mjekësore në spital, duke theksuar se çdo person i privuar nga liria duhet të ketë akses në kujdesin e nevojshëm shëndetësor. “Një i burgosur ka të drejtë të marrë trajtim dinjitoz. Nëse spitali i burgut nuk mund t’ia ofrojë shërbimin e nevojshëm, ai duhet të dërgohet në një spital tjetër”, tha gazetarja.
Në fund, Lala ngriti pikëpyetje edhe mbi drejtimin që mund të marrë hetimi i ri i SPAK-ut ndaj Veliajt. Ajo u shpreh se nuk mund të përcaktojë nëse hetimi lidhet drejtpërdrejt me çështjen e inceneratorëve, por vlerësoi se mund të ketë zhvillime që çojnë drejt një akuze për inceneratorin e Tiranës. “Kjo ka qenë edhe një nga kritikat më të mëdha ndaj hetimeve të deritanishme, pasi është krijuar perceptimi se fokusi ka qenë te bashkëshortja e Veliajt dhe jo te çështja e inceneratorit”, përfundoi Klodiana Lala.
