Presidenti rus, Vladimir Putin, ka rënë dakord që përfaqësuesit europianë të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave për paqen në Ukrainë.
Lajmi u bë i ditur nga i dërguari amerikan, Steve Uitkof pas takimit me kreun e Kremlinit në Moskë.Uitkoff e cilësoi përfshirjen e Europës një zhvillim të rëndësishëm, duke theksuar se vendet europiane janë partnerë dhe duhet të jenë pjesë e procesit.
Megjithatë, Putin i kërkoi Uashingtonit të bashkëpunojë me aleatët europianë për të kuptuar nëse ata kërkojnë paqe apo luftë në Ukrainë.
Kreu i Kremlinit paralajmëroi gjithashtu se vendosja e trupave perëndimore në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje do të rrezikonte rifillimin e konfliktit, pasi Moska do ta konsideronte një kërcënim për sigurinë e saj.
Negociatat trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-ve, të zhvilluara në Abu Dhabi, prodhuan një marrëveshje paraprake për shkëmbimin e të burgosurve të luftës. Megjithatë, çështja territoriale mbetet pengesa kryesore. Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, ndërsa Kievi refuzon të heqë dorë nga pjesa e mbetur e Donbasit.
Pas takimeve në Moskë, të dërguarit e Trump do të bisedojnë edhe me presidentin ukrainas, Zelensky.












