Ish-deputetja Lajla Përnaska ka kritikuar mënyrën e drejtimit të Partisë Socialiste nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar atë si një parti ku vendimmarrja është përqendruar tërësisht te kryetari.
E ftuar në emisionin “Prime News24”, Përnaska komentoi zhvillimet politike në vend dhe heshtjen e Ramës për situatën e krijuar, përfshirë edhe çështjen e Erion Veliajt. Sipas saj, pushteti afatgjatë i kryeministrit ka sjellë pasoja në mënyrën se si funksionon PS-ja dhe në raportin e saj me pushtetin.
“Jemi në një realitet gjithmonë e më shumë përsëritës për sa i përket mënyrës se si funksionon Partia Socialiste, veçanërisht në drejtimin e zotit Rama, i cili, përveç anës së tij tepër përpotente në raport me pushtetin, shpeshherë është edhe shumë arrogant. Një pushtet kaq afatgjatë te një individ duket se sjell probleme shumë të mëdha në mënyrën se si e percepton pushtetin dhe se si e keqpërdor atë”, u shpreh Pernaska.
Më tej, ish-deputetja argumentoi se sistemi politik shqiptar i ka dhënë kryetarëve të partive kompetenca të mëdha, veçanërisht përmes listave të mbyllura. Sipas saj, Rama e ka shfrytëzuar këtë mekanizëm në maksimum, duke e kthyer PS-në në një parti ku vendimmarrja përqendrohet te një person i vetëm.
“E ka bërë Partinë Socialiste atë që e shprehu edhe zoti Libonja: një parti që ka një ‘njish’ dhe gjithçka tjetër është nul”, deklaroi ajo.
Duke komentuar pritshmëritë nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Përnaska tha se nuk pret ndryshime, pasi, sipas saj, ky organ nuk ka më fuqi reale vendimmarrëse.
“Unë nuk pres asgjë të re nga Asambleja, sepse nuk ekziston Asambleja. Nuk ka pushtet, nuk ka vendimmarrje dhe nuk ka funksion. Është nul”, u shpreh ish-deputetja.
Sipas Përnaskës, ndryshimet që prezantohen si risi në Partinë Socialiste janë vetëm ndryshime në formë, ndërsa përmbajtja e mënyrës së drejtimit mbetet e njëjtë. Ajo e lidhi këtë situatë me përqendrimin e pushtetit politik dhe dobësimin e strukturave të brendshme të partive shqiptare.
