Asambleja e Partisë Socialiste këtë të shtunë pritet të sjellë lëvizje të rëndësishme në strukturat drejtuese të partisë, por me vendime që mund të prekin kabinetin qeveritar. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu ka zbuluar disa prej skenarëve që pritet të jenë në tryezën e kryeministrit gjatë mbledhjes. Sipas Veliut, një prej ndryshimeve kryesore mund të jetë dyfishimi i numrit të drejtuesve politikë, nga 12 në 24.
”Rama pritet të dublojë drejtuesit politikë nga 12 në 24. Ai mendon se ka gjetur dy kandidatura të përshtatshme për Tiranën dhe Shkodrën”, u shpreh gazetari. Sa i përket garës për drejtimin e dy bashkive, në diskutim janë emrat: Ervin Demo për Tiranën dhe Enea Karakaçit për Shkodrën, ku ky i fundit mund të përballet me Kliti Hotin.
Veliu ngriti gjithashtu mundësinë që dy ministra të lënë postet në qeveri për t’u përfshirë në garën për kryebashkiakë. “Dy ministra mund të sakrifikojnë postet e tyre për të kandiduar për kryebashkiakë”, tha ai, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar.
Një tjetër çështje që pritet të tërheqë vëmendjen e socialistëve është qëndrimi i Edi Ramës për situatën e Erion Veliajt. Sipas gazetarit, deri më tani nuk ka një qëndrim publik të kryeministrit për këtë çështje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të bëjë një koment gjatë Asamblesë. Asambleja pritet të zhvillohet në orën 10:30 në Gjirin e Lalëzit, ku përveç riorganizimit të strukturave partiake, në vëmendje do të jenë edhe vendimet për përgatitjen e socialistëve në funksion të zgjedhjeve të 9 majit.
