Akuzat ndaj Ramës, Hila: Veliaj nuk arrin asgjë politikisht

Analisti Dritan Hila e ka cilësuar debatin Veliaj-Rama si një çështje pa interes afatgjatë për publikun.
I ftuar në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit, Hila u shpreh se kjo çështje ka vetëm interes të momentit.
Sipas tij, Veliaj nuk do të mund të arrijë askund politikisht me këtë sfidë që i ka bërë kryeministrit Edi Rama.
Pjesë nga biseda:
Hila: Veliaj i ka hyrë një lufte politike, jemi të qartë për këtë. I ka hedhur dorashkën Edi Ramës. Sa i përket faktit që e transferuan në burgun e Fierit, kjo është strategji e tij. Në politikë nuk e mund dot Ramën me Gjykatën e Strasburgut. Kemi rastin e Belerit, nuk u quajt gabim arrestimi i tij.
Në këtë moment, transferimi i tij në burgun e Fierit dhe mosmarrja e kujdesit shëndetësor, nga pikëpamja morale, nuk duhet të ndodhnin. Për mendimin tim, Veliaj nuk duhet të merrej me këtë. Nëse fiton nesër në Strasburg këtë çështje, çfarë fiton nga lufta politike? Çfarë fitoi Nano që ishte dënuar gabimisht?
Ka një strategji të vetën për momentin, për ta çuar në Strasburg, por kjo nuk e ndihmon Veliajn në fushën e lojës. Prandaj Veliaj ka hedhur dorashkën. Të gjitha akuzat ia ka drejtuar Ramës, por këto shkojnë drejt PS-së.
Në këtë pikë them se është e rëndësishme për debatet e ditës, për të bërë bisedë ne në studio. Mendoj se do të jetë diçka që do të harrohet të nesërmen. Janë vogëlsira vetëm për momentin, interesojnë për thashetheme. Nga pikëpamja afatgjatë dhe politike, nuk do t’i japin avantazh.
E persekutoi Rama Veliajn? Po mirë, e kishte kundërshtar. Marrim rastin më të keq, se është Rama pas gjithë këtyre. Po mirë, është luftë. Se vajti Gogu në orën 12 të natës. Çfarë mesazhi i çoi, pak rëndësi ka.
Ndreca: Ka rëndësi, sepse ai është institucioni, kurse ky është i paraburgosuri. Duhet të kishte dhënë shpjegime për një javë.
Hila: Po mund të thotë Gogu: vajta takova një mik.
Ndreca: Po të ishte kështu, do t’i jepte grafinë.
Bushati: Ta paraqesësh këtë sikur Veliaj po e bën për politikë. Po politika i duhet publikut, mo.
Ndreca: Të të vësh në cep dhe të të lënë të izoluar, sigurisht që do të kesh një reagim që shkon në këtë përmasë politike.
Hila: Problemi nuk është si do ta zgjidhim politikisht konfliktin Rama-Veliaj. Interesi i publikut është te akuza që bën Veliaj: është e vërtetë apo jo?




