Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka ironizuar me sloganet e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i ndërlidhur ato me zhvillimet dhe kritikat ndaj qeverisjes së kësaj partie gjatë gjashtë viteve në pushtet.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Xhemaili ka renditur disa nga sloganet e njohura të VV-së, për të cilat ka pretenduar se janë jetësuar, por jo në shërbim të qytetarëve, por të interesave partiake.
Duke iu referuar sloganit “Me zemër”, ai ka përmendur punësimet në KEK, për të cilat pretendon se janë bërë mbi baza partiake.
Ndërkaq, sloganin “Erdhi dita” e ka lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe vështirësitë e qytetarëve për t’i përballuar faturat.
Xhemaili ka ironizuar edhe me sloganin “Krejt dhe drejt”, duke përmendur mbi një miliard euro të shpenzuara për importin e energjisë elektrike.
Ndërsa sloganin “Bashkë Qeverisim” e ka ndërlidhur me pretendimet për ndërhyrje politike në proceset e punësimit.
Në reagimin e tij, zëdhënësi i Aleancës ka përmendur edhe sloganet “Cep më cep”, “Mos lësho pe” dhe “Krejt për shtet, shtet për krejt”, duke i lidhur me paralajmërimet për vështirësi në furnizimin me energji elektrike, përgjimet e publikuara dhe akuzat për keqpërdorime.
Në fund të reagimit, Xhemaili i është drejtuar Prokurorisë me thirrjen: “Prokuroria, provat janë publike, qitja pikën!”