Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka komentuar zhvillimet politike në vend gjatë një interviste në emisionin “Prime News24” në News24, ku ka kritikuar kryeministrin Edi Rama dhe ka vlerësuar protestën e studentëve.

I pyetur nëse SPAK do të shkojë deri te kryeministri Rama, Malaj u shpreh se, duke marrë parasysh numrin e lartë të figurave qeveritare që janë nën hetim apo janë dënuar, përfshirja e kryeministrit në hetime është, sipas tij, e pashmangshme.

Malaj deklaroi se SPAK-u përbën shqetësim për Ramën, ndërsa shtoi se hetimet e Prokurorisë së Posaçme mund të shtrihen edhe më tej.

Duke kritikuar mënyrën e qeverisjes së kryeministrit, ish-ministri tha se liderët me këtë profil krijojnë një rreth të mbyllur rreth vetes dhe nuk dëgjojnë zërat e tjerë.

“Protesta e të rinjve është kthyer në lëvizje qytetare por nuk ka për t’u shuar më. Rama krijoi mitizimin e tij si babai i madh që do merrte përdore edhe këta kryeministrat e Kosovës, tani gjendet përballë një protestë. Është një alarm për të kuptuar ku ka mbërritur. Liderët me këtë profil siç ka Rama janë viktima të përbindshme të brendshme të tyre që i ka nënshtruar instikti për dominim. Problemi me këta lider është se ata kanë krijuar betonizim rreth vetes dhe nuk dëgjojnë asnjë tjetër…Ai shkoi dhe kërkoi që Samiti i NATO-s të bëhej në Shqipëri kur Samiti është 160 mln euro, vetëm 10 % paguan NATO…145 mln euro në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Nuk i llogarit, jep para për koncerte, para për gara , xhiro me biçikleta dhe harron në ç’fazë të keqe janë shqiptarët…Pra e ka humbur ndjesinë njerëzore. Në thelb është makievelist, i cili thotë në parimet e qeverisjes më mirë të më kenë frikë se sa të më duan. Për mua SPAK e shqetëson Ramën, sepse di fatin e paraardhësve të tij në vende të tjera. Por ai nuk bën dot më hapa pas dhe nuk ndryshon dot… Unë besoj që me kaq shumë figura qeveritare që janë në proces hetimi ose dhe janë dënuar, është e pamundur duke pasur edhe stilin e tij, patjetër që do përfshijnë dhe Ramën. Diku SPAK do arrijë…Ka disa gjëra që janë të pamendueshme që mund t’i bëjë një kryeministër i një vendi…”, tha Malaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: