Forcat Mbrojtëse Finlandeze kanë regjistruar një sulm ndaj një anijeje luftarake ruse në Gjirin e Finlandës, në Detin Baltik. Lajmin e bëri të ditur një zëdhënës i ushtrisë finlandeze, sipas të cilit forcat po monitorojnë situatën në vijim të incidentit. Autoritetet në Helsinki theksuan se vendi nuk përballet me ndonjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak.
Ushtria nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën e sulmit apo identitetin e saktë të anijes së goditur, shkruan Albanian Post. Sulmi ndaj anijes ruse në Gjirin e Finlandës u regjistrua pranë ishullit rus Gogland, rreth 40 kilometra në jug të bregdetit finlandez. Këtë e bëri të ditur një zyrtar i lartë finlandez që foli në kushte anonimiteti.
Mediat estoneze raportojnë se objektiv i sulmit ishte një anije e vogël e marinës ruse, e cila pas incidentit u kthye drejt Shën Petersburgut. Dyshimet janë përqendruar te një operacion i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), i cili njoftoi më herët se kishte goditur anijen raketore ruse “Naro-Fominsk”.
Përputhja e kohës dhe e vendndodhjes së sulmit ka ngritur mundësinë që incidenti i regjistruar nga ushtria finlandeze të jetë pikërisht operacioni ukrainas kundër kësaj anijeje. Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se bëhet fjalë për të njëjtin objektiv. Anija “Naro-Fominsk” i përket Flotës Baltike të Rusisë dhe është e pajisur me sisteme të avancuara armatimi: disponon sistemin e lëshimit vertikal Kalibr-NK me tetë qeliza, raketa lundrimi Oniks, si dhe artileri 100 mm dhe sisteme kundërajrore.
Sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, sulmi ishte planifikuar paraprakisht dhe u realizua gjatë një operacioni natën, si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus.
