Industria gjermane e automobilave po përballet me një tjetër goditje të fortë. Pas paralajmërimeve dhe planeve të ristrukturimit nga Volkswagen, tashmë edhe Mercedes-Benz po shqyrton mundësinë e mbylljes së fabrikave në Gjermani, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e mijëra vendeve të punës.
Kompania ka ndalur investimet e reja në fabrikat gjermane dhe po e lidh vazhdimësinë e prodhimit me uljen e kostove. Drejtuesit pretendojnë se një orë prodhimi në Gjermani kushton deri në pesë herë më shumë krahasuar me Evropën Lindore, një diferencë që sipas tyre po e vështirëson konkurrencën e kompanisë.
Për të ulur shpenzimet, menaxhmenti kërkon që punonjësit të kalojnë nga 35 në 40 orë punë në javë, pa rritje page dhe me më pak shpërblime. Një kërkesë që ka shkaktuar përplasje me sindikatën IG Metall, e cila e konsideron javën 35-orëshe një vijë të kuqe dhe nuk pranon që barra e krizës të rëndojë mbi punëtorët.
Drejtoresha e personelit u ka thënë punonjësve se kompania dëshiron t'i shmangë mbylljet me çdo kusht, por tashmë duhet ta shqyrtojë edhe këtë skenar. Që në shtator, drejtuesi i prodhimit kishte paralajmëruar se dy fabrika gjermane mund të mbyllen nëse nuk arrihet ulja e kostove.
Në rast se nuk gjendet një marrëveshje me sindikatën, modelet e reja të Mercedes-Benz mund të prodhohen vetëm jashtë Gjermanisë. Kjo do të ishte një goditje e rëndësishme për industrinë vendase, e cila prej dekadash ka qenë një nga shtyllat e ekonomisë gjermane.
Kriza nuk prek vetëm Mercedes-Benz. Edhe Volkswagen ka njoftuar më herët plane për mbyllje fabrikash dhe shkurtim të vendeve të punës. Dy emra gjigantë të automobilizmit gjerman po përballen kështu me të njëjtën dilemë: si të mbeten konkurrues në tregun global pa sakrifikuar mijëra vende pune në vendin që i bëri simbol të industrisë automobilistike.