“Kosova synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian përmes meritës dhe zbatimit të reformave, duke përjashtuar çdo rrugë të privilegjuar drejt integrimit”, kështu është shprehur kryeministri Albin Kurti gjatë një interviste për gazetën prestigjioze franceze “Le Monde”, gjatë vizitës treditore në Paris. Kurti ka përmbledhur qëndrimin e tij me mesazhin: “Pranimi në BE bazuar në meritë, jo përmes një dere të pasme”. Gjatë intervistës, kreu i qeverisë së Kosovës është ndalur te procesi i integrimit evropian, situata e sigurisë në rajon dhe zhvillimet gjeopolitike. “Agresioni rus kundër Ukrainës tregon se historia po kthehet në skenën botërore me më shumë forcë se kurrë më parë në këtë shekull”, ka deklaruar Kurti. Ai ka theksuar se Kosova ndodhet në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik, ku Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e saj, duke e konsideruar Kosovën si pjesë të territorit të vet. Kryeministri ka kërkuar gjithashtu mbështetjen e Francës për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e qëndrueshmërisë së Kosovës. Një prej çështjeve të diskutuara lidhet me organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 në Prishtinë. Sipas gazetës franceze, Kurti ka kërkuar gjithashtu financim për ndërtimin e tri linjave hekurudhore dhe modernizimin e një linje të katërt. Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Parisit për t’u integruar në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit (RTE-T).