Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Pernaska, ka bërë deklarata të forta kundër kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se ka eliminuar garën e lirë brenda Partisë Socialiste dhe ka përqendruar pushtetin në duart e tij.

E ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Pernaska u shpreh se Rama ka frikë nga konkurrenca dhe mendimi ndryshe, ndërsa kujtoi edhe përplasjet me zërat kritikë brenda PS-së,

Sipas saj, kryeministri ka përdorur kërcënimin me përjashtim nga grupi parlamentar apo partia për të shuar çdo zë kundër tij.

Ish-deputetja kritikoi gjithashtu sistemin zgjedhor të miratuar me ndryshimet e vitit 2008, duke ia atribuar Ramës kërkesën për këtë model në kohën kur drejtonte Partinë Socialiste.

Ajo pranoi se kishte votuar pro këtyre ndryshimeve, por tha se koha tregoi, sipas saj, pasojat negative që sollën në funksionimin e demokracisë përfaqësuese.

Po ashtu Pernaska akuzoi kryeministrin se ka krijuar një sistem që i jep pushtet të tepruar një individi dhe se po përpiqet ta ruajë atë përmes mekanizmave që ajo i cilësoi të padrejtë dhe antigarë.

“Unë jam e bindur që zoti Rama ka frikë garën e lirë, pasi asnjëherë nuk ka dalë fitues nga një garë e lirë. Edhe në parti ai e zhduku garën. Ka qenë lëvizja nga mendimi ndryshe me zotin Malaj, në periudhën e parë kur ai sapo mori frenat e Partisë Socialiste, që nuk la gjë pa bërë për ta shuar. Ai kërcënon automatikisht çdo zë ndryshe me përjashtim nga grupi parlamentar apo nga partia. Domethënë, ai tmerrohet nga gara e lirë.

Ky është profili i një politikani që, i veshur me pushtet, tmerrohet nga gara, ashtu siç nuk lejon garën e lirë në zgjedhjet parlamentare, duke mbajtur listën e mbyllur dhe sistemin e mbyllur.
Ky sistem është kërkuar me insistim nga zoti Rama në pozicionin e tij si kryetar i Partisë Socialiste, me ndryshimet e vitit 2008. Unë kam qenë votuese e atyre ndryshimeve, por në atë kohë nuk e kuptuam se çfarë do të sillte ai sistem. Koha e provoi se ai e degjeneroi të gjithë mënyrën se si funksionon një sistem demokratik dhe zhduku demokracinë përfaqësuese.

Unë kam kërkuar ndjesë publike dhe një nga arsyet kryesore që vazhdoj të jap, në mënyrën time, një kontribut është pikërisht për ta çmontuar këtë sistem, sepse është ai që e ka sjellë Shqipërinë në situatën ku ndodhet sot dhe i ka dhënë superpushtet një individi, i cili po kërkon sërish, përmes mekanizmave artificialë, të padrejtë dhe antigarë, ta mbajë pushtetin me dhunë.”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: