Një ndërprerje e gjerë ka prekur shërbimet e Microsoft 365, Outlook dhe Teams, duke shkaktuar probleme për mijëra përdorues në vende të ndryshme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Italinë. Sipas të dhënave të publikuara nga platforma Downdetector, rreth orës 18:00, vetëm në SHBA u raportuan mbi 130 mijë probleme me shërbimin Outlook. Ndërkohë, mbi 46 mijë përdorues raportuan vështirësi me Microsoft 365, ndërsa rreth 3 mijë të tjerë patën probleme me Teams. Fillimisht, Microsoft njoftoi se kishte arritur të zgjidhte një ndërprerje të shërbimit Teams që kishte prekur përdoruesit në Amerikën e Veriut. Megjithatë, më vonë kompania paralajmëroi se problemet mund të kishin ndikim edhe në aksesin ndaj shërbimeve të Microsoft 365 në rajone të tjera të botës. Në një komunikim zyrtar, kompania bëri të ditur se po punonte për të kufizuar ndikimin e ndërprerjes, duke pranuar se problemet mund të preknin përdoruesit në çdo rajon gjeografik. Sipas Microsoft, disa përdorues po përballeshin me vështirësi në aksesimin e postës elektronike Exchange Online përmes metodave të ndryshme të lidhjes, veçanërisht në kontinentin amerikan. Kompania shpjegoi gjithashtu se një pjesë e infrastrukturës së saj po përballej me ngarkesë të lartë, çka mund të kishte ndikuar në gabimet e lidhjes me shërbimet. Për këtë arsye, po punohej për rishpërndarjen e trafikut, me qëllim balancimin e ngarkesës dhe rikthimin e funksionimit normal. Pavarësisht njoftimit të mëparshëm për zgjidhjen e problemeve me Teams në Amerikën e Veriut, disa përdorues vijonin të raportonin vështirësi në lidhje. Ndërkohë, numri i personave të prekur mund të jetë edhe më i lartë, ndërsa situata vijon të monitorohet.