Ish-ministri i Financave Arben Malaj kundërshtoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama që Shqipëria të presë Samitin e NATO-s, duke vënë në pikëpyetje barrën financiare që do të mbajë buxheti i vendit.
Gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në emisionin “Prime News24”, Malaj tha se organizimi i samitit kërkon rreth 160 milionë euro. Sipas tij, NATO do të mbulojë vetëm 10 për qind të shpenzimeve, ndërsa afërsisht 145 milionë euro do të paguhen nga shteti shqiptar.
Të lidhura
None found
Malaj hodhi kritika edhe ndaj mënyrës së qeverisjes së Ramës. Ai u shpreh se kryeministri është i rrethuar nga persona që nuk e kundërshtojnë dhe se nuk merr parasysh vështirësitë ekonomike me të cilat përballen qytetarët.
“Kanë ndërtuar një lloj izolimi rreth vetes dhe nuk dëgjojnë askënd që u shpreh mendime ndryshe. Ai jeton në botën e tij. Shkoi dhe kërkoi që Samiti i NATO-s të mbahej në Shqipëri, ndonëse samiti kushton 160 milionë euro. NATO paguan vetëm 10 për qind”, tha ish-ministri.
Duke ngritur çështjen e përfitimit që mund të sjellë organizimi, Malaj theksoi se pjesën më të madhe të kostos do ta përballojnë taksapaguesit shqiptarë.
“Për çfarë na duhet ky samit dhe çfarë ndikimi do të ketë për Shqipërinë, kur 145 milionë euro u ngarkohen shqiptarëve? Shpenzon për koncerte e për gjithçka, por harron gjendjen e rëndë ku ndodhen shqiptarët. Vetë Instituti i Statistikave thotë se 40 për qind e tyre nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet mujore. E ka humbur ndjesinë njerëzore”, deklaroi Arben Malaj.







