Vendosni fjalën kyçe....

Ndërprerja globale e Microsoft prek gjykatat, agjencitë e inteligjencës dhe institucionet shtetërore në disa vende


Microsoft ka deklaruar në njoftimin e saj të fundit se po vijon punën për të zgjidhur problemin e ndërprerjes së shërbimeve.

“Po vazhdojmë punën për rikuperimin e serverëve tanë frontend, ndërsa po zbatojmë masa të tjera për optimizimin e trafikut, me qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë së shërbimeve dhe rritjen e kapacitetit”, thuhet në një postim të kompanisë në platformën X.

Rreth dy orë më parë, kompania bëri të ditur se kishte konstatuar një rikthim të pjesshëm të shërbimeve në rajone të ndryshme, por masat e marra ende nuk kishin siguruar një rikuperim të qëndrueshëm.

Problemet me shërbimet e Microsoft po shkaktojnë gjithashtu ndërprerje në funksionimin e sistemeve gjyqësore në mbarë botën.

Gjykata e Lartë e Filipineve ka paralajmëruar se “përgjigjet ndaj email-eve dhe transaksioneve të tjera mund të vonohen”.

Edhe gjykatat në Singapor kanë njoftuar se po përballen me probleme në dërgimin dhe marrjen e email-eve, duke u kërkuar qytetarëve që, për çështje urgjente, të komunikojnë përmes telefonit.

Njoftime të ngjashme kanë publikuar edhe gjykata në Amerikën e Veriut, nga Los Angeles në Teksas dhe Alberta, duke paralajmëruar për vonesa në komunikim.

Edhe agjencitë australiane të inteligjencës dhe policisë federale janë prekur nga ndërprerja e shërbimeve, megjithëse zyrtarët kanë bërë të ditur se ndikimi është minimal.

“Ndikimi me të cilin po përballen lidhet kryesisht me sistemin e email-eve”, deklaroi për gazetarët kreu i Organizatës Australiane të Inteligjencës së Sigurisë, Mike Burgess.

Edhe institucione të tjera të shërbimit publik në Australi kanë konfirmuar se janë prekur nga ndërprerja, por kanë theksuar se problemet kufizohen kryesisht te komunikimi përmes email-it.

Ndërkohë, sipas BBC-së, nuk janë raportuar ndikime të mëdha në shërbimet kryesore të Uellsit të Ri Jugor (NSW), përfshirë shëndetësinë, arsimin, transportin dhe shërbimet e emergjencës.

Një zëdhënës i qeverisë së NSW-së bëri të ditur se agjencitë po punojnë për rikthimin e shërbimeve të prekura, ndërsa po zbatohen edhe zgjidhje alternative në qendrat fizike të shërbimit. Disa prej këtyre qendrave raportohet se ishin mbyllur më herët gjatë ditës për shkak të ndërprerjes.

Qeveria japoneze ka bërë të ditur se edhe platforma e përbashkët e teknologjisë së informacionit, që përdoret nga institucionet shtetërore, është prekur nga ndërprerja e shërbimeve të Microsoft.

“Jemi në dijeni se Microsoft po punon për rikthimin e shërbimeve dhe do të vijojmë të monitorojmë reagimin e kompanisë”, deklaroi më herët gjatë ditës zëvendëssekretari i përgjithshëm i kabinetit qeveritar, Masanao Ozaki.

Ndërkohë, ministri i Dixhitalizimit, Toshiharu Furukawa, tha se institucionet që përdorin Outlook kanë siguruar disa mënyra alternative komunikimi, si telefonatat, platformat e bisedave dhe mesazhet me tekst.

Sipas tij, falë këtyre alternativave, “veprimtaria e qeverisë po vijon pa ndërprerje”.