Çmimet e produkteve ushqimore në Tiranë rezultojnë ndjeshëm më të larta se në kryeqytetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas një krahasimi të publikuar nga “Monitor”, bazuar në të dhënat e platformës ndërkombëtare Numbeo, me 100 euro të shpenzuara në Tiranë, konsumatorët mund të blejnë rreth 46% më shumë produkte në Prishtinë, 34% më shumë në Shkup, 25% më shumë në Podgoricë, 22% më shumë në Sarajevë dhe 17% më shumë në Beograd.
Një shportë me 15 produkte bazë kushton mesatarisht 54.6 euro në Tiranë. Në krahasim, e njëjta shportë vlerësohet në 46.9 euro në Beograd, 44.6 euro në Sarajevë, 43.8 euro në Podgoricë, 40.7 euro në Shkup dhe vetëm 37.3 euro në Prishtinë.
Vezët dhe bulmeti, diferencat më të mëdha
Diferencat janë veçanërisht të theksuara te produktet e konsumit të përditshëm. Një paketim me 12 vezë kushton mesatarisht 3.24 euro në Tiranë, pothuajse dyfishin e çmimit në Prishtinë, ku shitet për 1.61 euro. Në Shkup, çmimi mesatar është 2.2 euro.
Edhe qumështi është dukshëm më i shtrenjtë në kryeqytetin shqiptar. Një litër kushton mesatarisht 1.97 euro, ndërsa në Sarajevë 1.05 euro, në Shkup 1.12 euro, në Prishtinë 1.13 euro, në Podgoricë 1.16 euro dhe në Beograd 1.27 euro. Kjo do të thotë se qumështi në Tiranë kushton gati 88% më shumë se në Sarajevë.
Çmimet e larta vërehen edhe te djathi vendas. Një kilogram kushton mesatarisht 11.4 euro në Tiranë, kundrejt rreth 7 eurove në Prishtinë dhe Shkup, 7.7 eurove në Podgoricë, 9.2 eurove në Sarajevë dhe 10.2 eurove në Beograd.
Edhe mishi, frutat dhe perimet më të shtrenjta
Diferenca të konsiderueshme shfaqen edhe te produktet e mishit. Një kilogram fileto pule kushton mesatarisht 8.2 euro në Tiranë, ndërsa në Beograd dhe Prishtinë rreth 6 euro. Për mishin e viçit, çmimi në kryeqytetin shqiptar arrin mesatarisht në 15.2 euro për kilogram, kundrejt rreth 11 eurove në Podgoricë dhe Prishtinë.
Në listën e produkteve me diferenca të mëdha përfshihen edhe frutat dhe perimet. Bananet kushtojnë 2.2 euro për kilogram në Tiranë, rreth 75% më shumë se në Shkup. Për sallatën jeshile diferenca me Shkupin është edhe më e theksuar, ndërsa qepët në Tiranë kushtojnë 75% më shumë se në Beograd.
Megjithatë, jo të gjitha produktet janë më të shtrenjta në Shqipëri. Domatet rezultojnë më të kushtueshme në Beograd dhe Podgoricë, ndërsa orizi ka një çmim pak më të lartë në Beograd.
Të dhënat e Numbeo bazohen në çmime të raportuara nga përdoruesit dhe krahasojnë kryeqytetet, jo mesataret kombëtare. Shporta ilustruese përfshin nga një njësi të secilit prej 15 produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike, pa përfshirë pijet alkoolike dhe duhanin.
Eurostat: Shqipëria, mbi mesataren e BE-së për çmimet e ushqimeve
Tendenca e çmimeve të larta konfirmohet edhe nga të dhënat e Eurostat për vitin 2025. Sipas këtyre statistikave, Shqipëria rezulton vendi më i shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor për ushqimet, duke kaluar për herë të parë edhe mesataren e Bashkimit Europian.
Indeksi i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 102.9% të mesatares së BE-së në vitin 2025, nga 99.6% në vitin 2024 dhe rreth 85% në vitin 2022. Në Serbi ky nivel ishte 96.6%, në Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë 84.6%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 74.3%.
Pra, një shportë ushqimore që në Bashkimin Europian kushton mesatarisht 100 euro, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut rreth 74 euro.
Diferenca është edhe më e dukshme te bulmeti. Sipas Eurostat, në vitin 2025 çmimet e qumështit, produkteve të tjera të bulmetit dhe vezëve në Shqipëri ishin 35.6% mbi mesataren e Bashkimit Europian, duke e renditur këtë kategori ndër më të shtrenjtat në raport me tregun europian.
Çmime europiane, por fuqi blerëse shumë më e ulët
Pesha e këtyre çmimeve bëhet edhe më e rëndë për konsumatorët shqiptarë për shkak të të ardhurave të ulëta. Shqipëria ka të ardhura për frymë sa 43% e mesatares së BE-së dhe konsum individual për frymë sa 48% e saj.
Kështu, ndërsa çmimet e ushqimeve janë të krahasueshme, madje edhe më të larta se mesatarja europiane, fuqia blerëse e qytetarëve mbetet shumë më e ulët. Ushqimet zënë rreth 40% të shpenzimeve të familjeve shqiptare, duke rënduar drejtpërdrejt buxhetet e tyre.
Forcimi i vazhdueshëm i Lekut ndaj Euros gjatë viteve të fundit ka ulur koston në monedhën vendase të mallrave të importuara, por ky përfitim nuk është reflektuar në të njëjtën masë në çmimet që paguajnë konsumatorët.












