Putin pranon pjesëmarrjen e Evropës në negociatat për Ukrainën, por vendos kushte
Presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord që përfaqësuesit evropianë të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave për paqen në Ukrainë. Lajmi u bë i ditur nga i dërguari i posaçëm i Donald Trump, Steve Witkoff, pas takimit që zhvilloi të enjten me kreun e Kremlinit në Moskë. Sipas tij, përfshirja e Evropës është një zhvillim i rëndësishëm për procesin diplomatik.
Pas takimit në Moskë, Witkoff dhe Jared Kushner udhëtuan drejt Irlandës, ku zhvilluan një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Ky i fundit mirëpriti mundësinë e një raundi të ri negociatash me pjesëmarrjen e evropianëve, duke theksuar nevojën për një axhendë konkrete që të përfshijë uljen e tensioneve dhe forma të ndryshme armëpushimi.
Megjithatë, Putin paralajmëroi se Moska dhe vendet evropiane kanë qëndrime të kundërta për të ardhmen e Ukrainës. Kreu i Kremlinit kundërshtoi gjithashtu vendosjen e trupave perëndimore në territorin ukrainas pas një marrëveshjeje paqeje, duke argumentuar se një prani e tillë do të përbënte kërcënim për sigurinë e Rusisë dhe mund të çonte në rifillimin e konfliktit.
Negociatat e fundit trepalëshe mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës, të zhvilluara në Abu Dhabi, shënuan takimin e parë të drejtpërdrejtë të ndërmjetësuar nga Uashingtoni mes Moskës dhe Kievit pas nëntë muajsh. Palët pranuan se ishte shënuar njëfarë përparimi, por mosmarrëveshjet për territoret mbeten pengesa kryesore. Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, ndërsa Kievi refuzon të heqë dorë nga pjesa tjetër e Donbasit.
Ndërkohë, Zelensky ngriti shqetësimin për kufizimet e vendosura në shërbimin satelitor Starshield, të përdorur nga ushtria ukrainase për komunikim në front. Sipas tij, këto kufizime kanë ndikuar në funksionimin e komunikimit përgjatë vijës së luftës. Nga ana tjetër, Putin propozoi krijimin e një misioni të përbashkët humanitar ruso-ukrainas në qytetin Kostjantinivka, duke pretenduar se zona kontrollohet nga forcat ruse. Kievi ka kundërshtuar pretendime të tilla.
Pavarësisht sinjaleve për rifillimin e dialogut, deklaratat e fundit të Putinit tregojnë se Moska nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kërkesat e saj territoriale. Presidenti rus përsëriti se kufijtë e pretenduar nga Rusia duhet të shërbejnë si pikë referimi për përcaktimin e vijës ndarëse me Ukrainën, duke lënë të kuptohet se marrëveshja e paqes mbetet ende larg.
/vizionplus.tv




