Dogana e Kosovës ka konfiskuar 952.54 gramë ari të përpunuar, me vlerë të përafërt prej 120 mijë eurosh, gjatë kontrolleve në tri argjendari në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Doganës, kontrollet janë realizuar të enjten, në kuadër të aktiviteteve për luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme.
Gjatë kontrollit në njërën prej argjendarive është zbuluar sasia e arit që më pas është konfiskuar, ndërsa ndaj rastit janë ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore.
Ndërkaq, në një argjendari tjetër janë identifikuar rreth pesë kilogramë ari të pashenjëzuar, përkatësisht pa vulat përkatëse të kontrollit dhe shenjëzimit.
Për këtë rast, Dogana ka kërkuar asistencën e Inspektoratit kompetent të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Inspektorët kanë marrë në trajtim sasinë e identifikuar të arit për të kryer procedurat e verifikimit dhe shenjëzimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana ka bërë të ditur se kontrollet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të parandalimit të kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme të metaleve të çmuara, si dhe mbrojtjes së konsumatorëve dhe tregut.