Nations League/ Italia përmbys Francën dhe merr vendin e parë, Zidane paguan gabimet në mbrojtje
Dopietë e Pio Esposito dhe gol nga Frattesi. Skuadra e Mancini-t zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, ku humbi dhe një penallti.
Fitore 3-1 kundër Francës dhe vend i parë në grup për “axurrët”. Italia pësoi gol në fillim, më pas e rriti lojën, përmbysi gjithçka me 3 gola dhe në fund mori një fitore të madhe, duke e kaluar Francën e Zidane me diferencë golash, pasi kanë të njëjtën kuotë pikësh.
Doué dhe Rabiot rrezikojnë të parët, më pas shënon Olise në minutën e 10-të, pas gabimit të Donnarumma-s, që i dhuron topin yllit të Bayern-it. Skuadra e Zidane sulmon fort sërish dhe Donarumma pret gjuajtjen e Barcola. Italia barazon me një aksion, ku Cambiaghi kalon Malo Gusto dhe pason në qendër, Pio Esposito devijon para Upamecano dhe mposht Maignan.
Barcola godet shtyllën në minutën e 35-të. Pjesa e dytë nis njësoj si e para, ku Franca ka kontrollin e topit. Në një kundërsulm Cambiaghi fiton sërish duelin me Malo Gusto, që e rrëzon në tokë dhe Kovacs akordon penallti. Sebastiano Esposito gabon, duke gjuajtur jashtë, por pas pak minutash Dimarco, sapo hyn në fushë, shërben për Frattesi-n, që kalon Italinë në avantazh.
Franca nuk reagon dhe shkakton një tjetër penallti, këtë herë me Upamecano ndaj Vergara-s. Pio Esposito korrigjon gabimin e vëllait dhe 3-1. Një fitore me vuajtje e skuadrës Mancini-t, por shumë e rëndësishme. Pio Esposito shënoi golin e 9-të me Italinë në 14 ndeshje.
Trajneri Zidane vlerësoi Italinë për ndeshjen që zhvilloi dhe pranoi se skuadra e tij pagoi gabimet në mbrojtje. Italia kryeson grupin me golaverazh më të mirë se Franca, ndërsa verdiktin final do ta japin ndeshjet e fundit. “Axurrët” ndeshen me Belgjikën, kurse Franca me Turqinë. Belgjika fitoi dje 1-2 në fushën e Turqisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




