Një ndërprerje masive në sistemet e Microsoft ka shkaktuar kaos në mbarë botën, duke lënë miliona përdorues pa akses në shërbime thelbësore si Outlook dhe Teams për më shumë se 12 orë.
Problemi ka prekur jo vetëm punonjësit e kompanive të ndryshme, por edhe institucione të rëndësishme, përfshirë banka, qeveri dhe gjykata në disa vende.
Sipas platformës Downdetector, raportimet për ndërprerjen u përhapën në 74 shtete dhe territore brenda rreth një ore. Në Shtetet e Bashkuara, punonjës të disa kompanive u detyruan të largoheshin më herët nga puna për shkak të pamundësisë për të përdorur sistemet.
Ndërkohë, në Hong Kong, punonjës të bankave të njohura si Morgan Stanley dhe Goldman Sachs konfirmuan për CNN se ndërprerja kishte penguar aktivitetin e tyre.
Pavarësisht përpjekjeve për rikthimin e shërbimeve, Microsoft ende nuk ka arritur të zgjidhë plotësisht problemin. Fillimisht, kompania njoftoi se po shihte rezultate pozitive nga ndërhyrjet teknike, por disa orë më vonë pranoi se nuk kishte arritur një rikthim të qëndrueshëm të sistemeve.
Microsoft ka konfirmuar se ndërprerja nuk është shkaktuar nga një sulm kibernetik apo shkelje e sigurisë, ndërsa miliona përdorues në mbarë botën vijojnë të përballen me vështirësi në përdorimin e shërbimeve të kompanisë.