Trajneri i Francës, Zinedine Zidane, ka komentuar humbjen ndaj Italisë në “San Siro”, duke vlerësuar organizimin mbrojtës të skuadrës kundërshtare. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, tekniku francez pranoi se Italia bëri atë që di ta bëjë më mirë, ndërsa skuadra e tij pati vështirësi, veçanërisht në fazën mbrojtëse.
“Italia zhvilloi ndeshjen e zakonshme në aspektin defensiv, diçka që e bën shumë mirë. Në ndeshjen e parë më kishin pëlqyer më shumë me topin, por sot fituan dhe nuk ka asgjë për të diskutuar. Urime atyre, ndërsa ne duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës.
Është e vërtetë që e nisëm mirë ndeshjen dhe krijuam disa raste. Edhe pjesën e dytë e filluam mirë, por më pas hasëm vështirësi dhe nuk ishim aq të zotë në aspektin mbrojtës”, deklaroi ai.
I pyetur nëse Francës i kishte munguar guximi në këtë përballje, Zidane e mohoi një gjë të tillë, duke theksuar se skuadra e tij ishte vazhdimisht në lojë dhe kishte bërë mirë në qarkullimin e topit.
“Absolutisht jo. Kemi qenë gjithmonë në lojë dhe kemi bërë mirë në zotërimin e topit. Kemi vuajtur në mbrojtje, por kjo është pjesë e procesit të të mësuarit. Tani duhet ta analizojmë ndeshjen dhe të përgatitemi sa më mirë për të dielën”, shtoi tekniku francez.
Zidane foli edhe për paraqitjen e Olise, i cili arriti të shënonte një gol, duke theksuar se është e vështirë të ruash të njëjtin nivel gjatë të 90 minutave.
“Nuk mund të luash në një nivel kaq të lartë për 90 minuta. Ai bëri mirë, madje shënoi edhe një gol. Por e gjithë skuadra e uli nivelin dhe kjo ndikon edhe te paraqitjet individuale”, tha Zidane.
