Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon ta zgjidhë çështjen e Kubës përpara përfundimit të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Në një intervistë me gazetarin konservator Hugh Heuitt, Trump nuk përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake kundër ishullit. “Dua ta zgjidh çështjen e Kubës para se të largohem”, deklaroi presidenti amerikan. Ai e cilësoi Kubën si një shtet në gjendje të rëndë ekonomike dhe tha se administrata e tij po e monitoron nga afër situatën.

Trump theksoi se Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të ketë një rol të rëndësishëm në politikën e Uashingtonit ndaj Havanës. Ai përmendi gjithashtu origjinën kubaneze të familjes së Rubio-s dhe lidhjen e tij me komunitetin kubano-amerikan. Presidenti amerikan tha se dëshiron të veprojë në interes të kubanëve që janë larguar nga vendi dhe kanë gjetur strehim në Shtetet e Bashkuara. I pyetur për mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake, Trump u përgjigj se do ta konsideronte një opsion të tillë.

Deklaratat vijnë në një kohë kur Uashingtoni ka shtuar presionin ekonomik ndaj Kubës përmes sanksioneve të reja kundër individëve, kompanive dhe rrjeteve të furnizimit me naftë. Administrata amerikane synon të kufizojë burimet financiare të strukturave ushtarake dhe elitës drejtuese kubaneze.

Nga ana tjetër, Havana ka dënuar masat amerikane, ndërsa Kina ka premtuar mbështetje për sovranitetin e Kubës përballë sanksioneve dhe presionit të jashtëm.

Megjithatë, Trump nuk ka njoftuar një plan konkret ushtarak, por deklarata e tij vendos për herë të parë një afat të qartë politik për synimin amerikan ndaj Kubës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: