Policia greke ka arrestuar Odhise Dhimën, 58 vjeç, trajner peshëngritjeje dhe vëllai i kampionit olimpik me origjinë shqiptare, Pirro Dhima. Ai akuzohet se furnizonte sportistët me substanca të ndaluara dopingu. Mes rasteve që përmend policia është edhe ai i djalit të tij të mitur, të cilit dyshohet se i dha një substancë të ndaluar gjatë një gare.

Në mostrën e urinës së sportistit të mitur u zbulua oksandrolon, një substancë që figuron në listën e substancave të ndaluara të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA).

58-vjeçari u arrestua mëngjesin e së enjtes, më 12 nëntor, në një zonë të Atikës, pas një hetimi disamujor. Arrestimi u krye nga efektivët e Nëndrejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pjesë e Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar. Hetimi u zhvillua në bashkëpunim me Organizatën Greke Antidoping (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave të Greqisë (EOF).

Sipas Policisë Greke, Dhima dyshohet se e shfrytëzonte rolin e tij si trajner peshëngritjeje për t’i furnizuar sportistët me substanca të ndaluara dhe për t’ua administruar ato, të paktën që prej prillit të vitit 2024.

Sekuestrohen 871 njësi preparatesh dhe 15 mijë euro

Gjatë kontrolleve në banesën e 58-vjeçarit dhe në ambiente sportive në Atikë, policia gjeti dhe sekuestroi 871 njësi preparatesh farmaceutike të paligjshme dhe substancash dopingu, në formë tabletash dhe ampulash. U sekuestruan gjithashtu 17 kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë, një telefon celular dhe 15 mijë euro.

Sipas Organizatës Kombëtare të Barnave të Greqisë, preparatet e sekuestruara nuk kanë autorizim për t’u tregtuar në tregun grek dhe konsiderohen të dëmshme për shëndetin e personave që i përdorin.

Ndaj 58-vjeçarit është hapur një dosje penale për shkelje të legjislacionit për sportin dhe për barnat e dëmshme. Ai u dërgua në prokurorinë kompetente.