Nis zbatimi i plumbçeve elektronike në autocisternat e karburanteve, Malaj: Luftë kontrabandës dhe evazionit
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka ndjekur nga afër në Porto Romano procesin e funksionimit të sistemit të ri të plumbçeve elektronike, i cili do të aplikohet në të gjitha autocisternat që transportojnë hidrokarbure në Shqipëri.
Sistemi i ri synon të mbulojë të gjithë zinxhirin e transportit të karburanteve, nga pikat e hyrjes në territorin shqiptar deri në pikat e daljes, duke mundësuar monitorimin elektronik të lëvizjes së tyre.
Sipas ministrit Malaj, ky mekanizëm do të lehtësojë procedurat për operatorët ekonomikë që merren me transportin e hidrokarbureve, ndërsa do t’u vijë në ndihmë autoriteteve doganore në luftën kundër kontrabandës dhe evazionit.
“Po shohim nga afër procesin e sistemit të ri të plumbçeve elektronike, që do të aplikohet në të gjitha autocisternat që kryejnë transportin e hidrokarbureve, nga pikat hyrëse në Shqipëri deri në pikat dalëse.
Ky sistem lehtëson procedurat për të gjithë operatorët ekonomikë që merren me transportin e hidrokarbureve, si dhe ndihmon autoritetet doganore në luftën kundër kontrabandës së hidrokarbureve dhe në mbrojtjen e të ardhurave publike.
I gjithë sistemi i ri sjell katër avantazhe kryesore: mbrojtjen e të ardhurave publike, rritjen e eficiencës për operatorët ekonomikë, uljen e kostove operacionale për doganat dhe luftën kundër evazionit fiskal dhe kontrabandës”, tha Malaj.
Përmes këtij mekanizmi elektronik synohet të rritet kontrolli dhe gjurmueshmëria e transportit të hidrokarbureve, duke garantuar një monitorim më të mirë të lëvizjes së autocisternave në territorin shqiptar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




