Fileto pule me perime dhe salcë vere të kuqe, receta perfekte nga shefja e kuzhinës Albana Mançja
Çdo ditë, në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus, nën moderimin e Alma Çelajt, shefja e kuzhinës Albana Mancia sjell receta të shijshme, ide kreative dhe sugjerime për gatime që mund t’i përgatisni lehtësisht në shtëpi. Ndiqni recetat e saj dhe zbuloni çdo ditë shije të reja, hap pas hapi!
Përbërësit për 4 persona:
Për fileton:
800 gr fileto pule DIMAL
2 lugë gjelle vaj ulliri
30 gr gjalpë
3 thelpinj hudhër
trumzë
1 degë rozmarinë
Kripë dhe piper i zi
Për perimet:
2 kunguj të njomë
2 karrota
1 spec i kuq
1 spec jeshil
Boçe lulelaker
100 gr bishtaja
20 g gjalpë
1 lugë çaji mjaltë
Lëkurë limoni
Kripë dhe piper
Për salcën:
150 ml verë e kuqe CANTINA CASSAR
150 ml lëng viçi
1 koncentrat MAGGI
1 qepë
1 lugë çaji mustardë
30 gr gjalpë i ftohtë
1 degë trumzë
Përgatitja:
Pastrojmë fileton nga cipat dhe e ndajmë në katër medaljone. E thajmë mirë, e kriposim dhe e piperosim.
Ngrohim fort tiganin me vaj ulliri dhe skuqim medaljonet nga të dyja anët. Shtojmë gjalpin, hudhrat, rozmarinën dhe trumzën. Gjatë pjekjes e lagim mishin vazhdimisht me gjalpin aromatik. E largojmë nga zjarri kur të arrijë pjekjen e dëshiruar dhe e lëmë të pushojë 5–7 minuta.
Presim perimet në forma të rregullta. Karotat dhe bishtajat i përvëlojmë për 2–3 minuta dhe i kalojmë në ujë të ftohtë.
Në një tigan të gjerë kaurdisim perimet me vaj ulliri në zjarr të fortë. Shtojmë gjalpin, mjaltin, kripën dhe piperin. I karamelizojmë lehtë, duke ruajtur krokantësinë. Në fund shtojmë lëkurën e grirë të limonit.
Në tiganin ku kemi skuqur mishin kaurdisim qepën shallot. Shtojmë verën e kuqe dhe e reduktojmë përgjysmë. Hedhim lëngun e viçit, mustardën dhe trumzën. Vazhdojmë gatimin derisa salca të marrë konsistencën e dëshiruar.
E kullojmë salcën dhe jashtë zjarrit shtojmë gjalpin e ftohtë, duke e përzier derisa të bëhet kremoze dhe me shkëlqim.
Vendosim perimet në pjatë, sistemojmë fileton dhe e shoqërojmë me salcën e verës së kuqe.
Truku i Albanës
Për një fileto të butë dhe të lëngshme, mishi duhet të jetë i tharë mirë përpara skuqjes dhe tigani shumë i nxehtë. Pushimi pas pjekjes ndihmon në ruajtjen e lëngjeve të mishit.
Për një salcë me shije më të thellë, shtojmë në fund një lugë çaji uthull balsamike të vjetruar.




