Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“MBRETI LUAN”, MUZIKALI PËR FËMIJË NË TEATRIN E KUKULLAVE

Muzikali “Mbreti Luan” vjen në skenën e Teatrit të Kukullave në Tiranë me një produksion imersiv, kukulla gjigande, muzikë, ngjyra dhe surpriza për vogëlushët. I mundësuar nga MTKS, produksioni do të prezantohet me 20 shfaqje gjatë muajve nëntor dhe dhjetor. Shfaqjet do të vijojnë më 14, 15, 21, 22, 28 dhe 29 nëntor, në oraret 10:30 dhe 18:00.

2. KOMEDIA “SHTËPIA” NË SKENËN E TEATRIT “PETRO MARKO” NË VLORË

Komedia “Shtëpia”, e ndërtuar mbi motivet e veprës “Vëllazëri e interes” të Kristo Floqit, me tekst, përshtatje dhe regji nga Naser Shatrolli, do të rikthehet në skenën e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë më 14 dhe 15 nëntor, në orën 19:00. Në këtë shfaqje, që vjen në kuadër të 64-vjetorit të teatrit, interpretojnë Bujar Asqeriu, Vefi Redhi, Roland Minga, Ermir Hoxhaj, Loris Sinanaj, Artan Islami dhe Igli Fusha.

3. KONCERT I ORKESTRËS SIMFONIKE TË FORCAVE TË ARMATOSURA

Ansambli i Harqeve i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura do të mbajë një koncert sonte, më 13 nëntor, në orën 19:00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në bashkëpunim me këtë institucion, koncerti do të sjellë vepra të kompozitorëve Domenico Cimarosa, Benjamin Britten dhe Antonín Dvořák, me solist në oboe Gëzim Toskaj dhe nën drejtimin e dirigjentit Laert Qazimi.

4. KONCERTI I ORKESTRËS SIMFONIKE TË RTSH-SË NË TIRANË

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të prezantojë një koncert sonte në orën 19:00, në sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së. Nën drejtimin e dirigjentit Artan Liçaj dhe me pjesëmarrjen e solistëve Lorenc Radovani në violinë dhe Fatma Spahiu në piano, koncerti do të ndërthurë krijimtarinë shqiptare me repertorin klasik botëror, duke përfshirë edhe premierën e veprës “Echoes of Spring” të Shpëtim Saraçit.

5. “YLLI PA EMËR” NË TEATRIN “ZIHNI SAKO” NË GJIROKASTËR

Shfaqja teatrore “Ylli pa emër”, e dramaturgut rumun Mihail Sebastian, do të ngjitet në skenën e Teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër sonte, nesër dhe të dielën në orën 19:00. Me regji të Erion Hinajt, vepra rrëfen historinë e një takimi të papritur mes një gruaje të panjohur dhe Marinit, një mësuesi matematike që zbulon një yll të ri pa emër. Në kastin e aktorëve janë Aleksandër Kondi, Denada Bixhaku, Lejda Çeli, Kosta Kreci, Gesjon Selfo dhe Erion Hinaj.

6. SHFAQJA “GRUA PËR SHPI” RIKTHEHET NË TEATRIN E KORÇËS

Shfaqja “Grua për Shpi”, e shkruar nga Franca Rame dhe me regji të Endri Çelës, do të rikthehet sonte në orën 18:00, në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë. Përmes humorit, ironisë dhe satirës, vepra trajton stereotipet gjinore, pabarazitë, rolin e gruas në shoqëri dhe dhunën me bazë gjinore. Në skenë interpreton aktorja Ina Gjonçi, ndërsa hyrja për publikun është falas.

7. “ÇAPAÇULI NË BOTËN E LODRAVE”, SHFAQJA PËR FËMIJË NË ELBASAN

“Çapaçuli në botën e lodrave” është shfaqja premierë që do të vijë në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan më 14 dhe 15 nëntor, në orën 11:00. Shfaqja rrëfen aventurat e Çapaçulit, një personazhi gazmor dhe kureshtar, i cili gjendet papritur në një botë magjike ku lodrat flasin, këndojnë, kërcejnë dhe ëndërrojnë si njerëzit.

8. “GREEK FESTIVAL ALBANIA”, DITË ME MUZIKË E VALLE NË TIRANË

“Greek Festival Albania” do të organizohet për herë të parë në Tiranë më 14 dhe 15 nëntor, në Parkun Olimpik, duke sjellë një eksperiencë kushtuar muzikës, kërcimit dhe kulturës greke. Festivali do të përfshijë 14 orë workshop-e të valleve tradicionale, me pjesëmarrjen e tre instruktorëve nga Greqia, ku publiku do të ketë mundësi të mësojë Zeibekiko, Hasapiko, Zorba dhe valle të tjera tradicionale. Programi do të shoqërohet gjithashtu me muzikë live nga dy këngëtarë grekë dhe atmosferë festive.

9. “VRASËS PA PAGESË”, KOMEDIA NË TEATRIN “METROPOL” NË TIRANË

Shfaqja “Vrasës pa pagesë” do të vijë në skenën e Teatrit “Metropol” në Tiranë më 14 dhe 15 nëntor, në orën 19:00. Me autore Erina Lazi dhe regji të Eglantina Tukës, vepra sjell historinë e një dramaturgu të ri, një vrasësi që nuk arrin ta kryejë punën dhe një miku që shfaqet në momentin e gabuar. Përmes humorit dhe situatave të papritura, shfaqja ngre edhe pyetje mbi shpresën dhe dështimet njerëzore.

10. “METROSOUND – KUR TINGULLI BËHET FJALË”, MUZIKË DHE POEZI TË VITEVE ’90

“Metrosound – Kur tingulli bëhet fjalë” do të sjellë një mbrëmje kushtuar muzikës dhe poezisë së viteve ’90, më 14 nëntor, në orën 20:00 te Mrizi i Zanave, “Bukë & Gjath” në Tiranë. Nën udhëheqjen artistike të Jonida Beqos dhe regjinë e Aldi Hysotocit, në këtë udhëtim nostalgjik interpretojnë Luli Bitri dhe Genti Deçka, të shoqëruar në piano nga Milen Nikolla, në violinë nga Najada Sulollari dhe nga këngëtaret Alfosina Hasanaj dhe Lidia Mrishaj.