Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në përbërjen e grupit negociator për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke rishpërndarë përgjegjësitë për disa kapituj dhe emëruar negociatorë dhe bashkënegociatorë të rinj.
Sipas vendimit, Znj. Tana Kika dhe Z. Arian Jaupllari emërohen bashkënegociatorë përgjegjës për Kapitullin 12, që ka të bëjë me sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare. Z. Enkelejd Musabelliu bëhet negociator përgjegjës për Kapitujt 1 dhe 6, ndërsa vazhdon si bashkënegociator për Kapitujt 28 dhe 30. Z. Andi Memeti emërohet negociator për Kapitujt 32 dhe 33 dhe bashkënegociator për Kapitullin 4, ndërsa Znj. Natasha Ahmetaj caktohet bashkënegociatore për Kapitujt 4 dhe 17.
Në fushën e shëndetësisë, Znj. Denada Seferi mbetet bashkënegociatore për Kapitullin 19, kurse Znj. Eugena Tomini merr rolin e bashkënegociatores për Kapitullin 28, që lidhet me mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin publik. Për Kapitullin 8, që trajton politikën e konkurrencës, janë emëruar bashkënegociatorë Z. Denar Biba, kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, dhe Z. Mario Keputa, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.
Ndryshime në kapitujt e sistemit financiar përfshijnë vijimin e Z. Endrit Yzeiraj si negociator për kriterin ekonomik dhe Kapitujt 16 dhe 29, si dhe shtimin e tij si bashkënegociator për Kapitujt 9 dhe 17. Znj. Adela Xhemali, drejtoreshë e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, emërohet bashkënegociatore për Kapitullin 9. Për Kapitullin 22, negociator përgjegjës emërohet Z. Oltjon Muzaka, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, në vend të Z. Ervin Demo.
Vendimi parashikon gjithashtu ndryshim referencash brenda strukturës së grupit negociator, duke zëvendësuar Kapitullin 12 me Kapitullin 13 pranë Kapitullit 11. Sipas tekstit, ndryshimet synojnë riorganizimin e përgjegjësive brenda grupit negociator në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim.
Sot në Bruksel mbahet mbledhja e Grupit të Punës për Zgjerimin, ku do të shqyrtohen Kapitujt 6 (e drejtë e shoqërive tregtare), 7 (pronësia intelektuale) dhe 13 (peshkimi dhe akuakultura); në të njëjtën mbledhje do të diskutohen edhe kapitujt për Malin e Zi dhe projekt-konkluzionet e Këshillit të BE-së për procesin e zgjerimit.
Vendimi, i mbështetur në dispozita kushtetuese dhe ligjore, hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në “Fletoren Zyrtare”. Kreu i vendimit: Edi Rama; në mungesë dhe me porosi: Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.
