Një nga sistemet e postës elektronike më të përdorura në botë, veçanërisht në fushën profesionale, ishte për disa orë jashtë funksionit të enjten, e problemet pritet të vazhdojnë edhe sot. Email ii Microsoft nuk hapet dhe gjigandi amerikan i teknologjisë dhe programeve kompjuterike u detyrua të pranonte se masat e ndërmarra për të zgjidhur ndërprerjen globale të shërbimit të tij nuk po funksionojnë “siç ishte parashikuar”, ndërsa po punon për të gjetur zgjidhje alternative. Problemi nuk qëndron vetëm te pamundësia për të dërguar dhe marrë mesazhe elektronike: Shumë përdorues nuk arrinin të kishin qasje fare te Microsoft Outlook dhe ata që arrijnë të hyjnë në llogarinë e tyre, përballen me mesazhet e disa orëve më parë, pasi mesazhet më të fundit nuk ngarkohen. Mijëra raportime për probleme janë regjistruar nga përdorues në të gjithë botën. Numri i tyre arriti kulmin prej 130 mijë raportimesh rreth orës 19:00 të së enjtes, të gjitha lidhur me keqfunksionimin e Outlook. Në ditët e sotme, është mjaft e vështirë të punosh pa postën elektronike. Por nuk është bllokuar vetëm Outlook: të gjitha programet e Microsoft 365 kanë pësuar probleme në funksionim. Teams dhe Copilot, mjete të rëndësishme për punën profesionale, nuk ishin më të disponueshme në kompjuterët e mijëra punonjësve. Sipas informacionit të publikuar nga kompania, shkaku i problemit ishte rënia e papritur e disa serverëve. Outlook kishte pësuar një tjetër ndërprerje të shërbimit po atë ditë, të enjten. Ky problem kishte prekur kryesisht Amerikën e Veriut dhe ishte zgjidhur brenda një ore, të paktën kështu kishte deklaruar Microsoft. Për momentin, nuk dihet nëse dy problemet e funksionimit kanë lidhje me njëri-tjetrin.