Samiti i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027, pavarësisht planeve të mëparshme që Tirana të priste takimin e ardhshëm të liderëve të Aleancës. Kryeministri Edi Rama konfirmoi të enjten në Dublin se ende nuk ka një dakordësi mes vendeve anëtare për datën e samitit, ndërsa bëri të ditur se Shqipëria mund ta presë atë në vitin 2028.
“Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet samiti. Me siguri jo në vitin 2027. Në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë”, deklaroi Rama. Por pas shtyrjes së samitit qëndrojnë edhe rezervat e raportuara më herët nga agjencia Reuters. Në qershor, Reuters bëri të ditur se planet për organizimin e samitit në Shqipëri ishin vënë në dyshim për shkak të kundërshtimeve nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësisë së disa vendeve anëtare lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.
Një tjetër faktor është edhe diskutimi brenda NATO-s për të ndryshuar praktikën e mbajtjes së samiteve çdo vit. Aleanca po shqyrton mundësinë që takimet e nivelit të lartë të mos zhvillohen më domosdoshmërisht çdo vit, çka do të shmangte edhe një përballje potencialisht të tensionuar me presidentin amerikan Donald Trump gjatë pjesës së mbetur të mandatit të tij.
Megjithatë, një zyrtar i NATO-s deklaroi të enjten se samiti i ardhshëm i Aleancës do të mbahet në Shqipëri, por data ende nuk është vendosur. Në deklaratën e samitit të Hagës, në qershor 2025, liderët e NATO-s shprehën pritshmërinë që pas takimit në Turqi në vitin 2026, mbledhja e radhës të zhvillohej në Shqipëri. Por në deklaratën e miratuar në samitin e Ankarasë, në korrik 2026, nuk u përcaktua as data dhe as vendi i takimit të ardhshëm.
Kështu, pritja e samitit në Tiranë mbetet në plan, por jo për vitin 2027, ndërsa viti 2028 është tashmë alternativa e përmendur publikisht nga kryeministri Rama./ Reuters






