Një ish-konkurrente e spektaklit televiziv “Top Model” në Poloni rrezikon deri në pesë vite burg, pasi prokuroria në Varshavë ka ngritur 11 akuza penale ndaj saj për postime në rrjetet sociale, ku dyshohet se ka mbështetur pushtimin rus të Ukrainës dhe ka përhapur mesazhe fyese ndaj pakicave. Samuela T., e cila mori pjesë në sezonin e katërt të spektaklit të njohur të modelingut, akuzohet se ka përdorur platformën X për të lavdëruar publikisht luftën e agresionit të Rusisë, si dhe për të publikuar përmbajtje kundër ukrainasve, hebrenjve dhe personave me ngjyrë.
Sipas informacioneve të publikuara nga portali polak Wirtualna Polska, prokuroria e Varshavës ka identifikuar katër raste të dyshuara të lavdërimit publik të një lufte agresioni, vepër e parashikuar nga neni 117, paragrafi 3, i Kodit Penal polak. Në disa prej postimeve të saj, ish-modelja kishte shprehur hapur mbështetje për presidentin rus Vladimir Putin, duke deklaruar se ai duhej të pushtonte të gjithë Ukrainën dhe të “rivendoste rendin”.
Tre akuza të tjera lidhen me fyerje publike ndaj personave për shkak të përkatësisë së tyre etnike ose racore. Prokuroria e akuzon gjithashtu se ka lavdëruar në tri raste veprimin e deputetit polak Grzegorz Braun, i cili shkaktoi polemika pasi përdori një fikëse zjarri për të shuar qirinjtë e festës hebraike Hanukkah brenda Parlamentit polak.
Samuela T. i ka mohuar akuzat. Çështja është pjesë e një hetimi më të gjerë që përfshin 14 persona, mes tyre Wojciech Olszański dhe Marcin Osadowski, të identifikuar si drejtues të një lëvizjeje radikale në Poloni. Ish-modelja ishte bërë e njohur fillimisht për pjesëmarrjen në “Top Model” dhe marrëdhënien e saj me aktorin polak Antoni Królikowski. Megjithatë, vitet e fundit ajo ishte përfshirë gjithnjë e më shumë në polemika politike, veçanërisht pas deklaratave publike të vitit 2021 kundër komunitetit LGBT dhe pakicës hebraike.



