Një nënë me tre fëmijë të mitur në fshatin Katund i Ri, në Njësinë Administrative Bradashesh të Elbasanit, po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike. Xhesida Dopi apelon për ndihmë, pasi të ardhurat e familjes nuk mjaftojnë as për të siguruar ushqimin dhe nevojat më elementare të fëmijëve, mes të cilëve edhe një foshnjë vetëm 10 muajshe. Xhesida, e cila është nga fshati Krrabë, jeton prej disa vitesh në Katund të Ri së bashku me bashkëshortin Klodian, tre fëmijët e tyre dhe vjehrrën, Nuria. Në këtë familje të përbërë nga pesë persona, fëmijët janë Klevisi 12 vjeç, Ajla 6 vjeçe dhe Tea vetëm 10 muajshe.
Të ardhurat mujore janë tepër të kufizuara. Sipas Xhesidës, bashkëshorti siguron një pagë prej rreth 300 mijë lekësh të vjetra, ndërsa vjehrra përfiton një pagesë mujore prej 40 mijë lekësh të vjetra. Në total, familja disponon rreth 340 mijë lekë të vjetra në muaj, shumë që nuk mjafton për të përballuar shpenzimet e pesë personave. Borxhet dhe blerjet me listë janë kthyer në pjesë të përditshmërisë së tyre, ndërsa situata ekonomike është përkeqësuar edhe më shumë gjatë këtij viti.
Por shqetësimi më i madh i Xhesidës është vajza e vogël. Ajo tregon se familja nuk ka mundësi të sigurojë as qumështin dhe ilaçet që i nevojiten foshnjës 10-muajshe. Me shpresën se dikush do t’i vijë në ndihmë, nëna u drejtohet njerëzve që kanë mundësi të kontribuojnë, duke kërkuar mbështetje për ushqimin dhe nevojat jetike të tre fëmijëve.
“Ju lutem, kushdo që ka mundësi të na ndihmojë, të na gjendet pranë, të paktën për të siguruar qumështin dhe ushqimin për vajzën e vogël. Kur ajo të rritet pak, do të përpiqem të bëj edhe dy apo tri punë, vetëm që të ushqej dhe të rris fëmijët e mi”, shprehet Xhesida Dopi. Apeli i saj është një thirrje për solidaritet, në mënyrë që tre fëmijët të mos u mungojnë nevojat më elementare dhe familja të mund të përballojë vështirësitë e përditshme. Për këtë nënë, çdo ndihmë ka rëndësi. Ajo nuk kërkon më shumë sesa mundësinë për t’u siguruar fëmijëve ushqimin, qumështin, ilaçet dhe kushtet minimale për një jetë dinjitoze.
Nr kontakti për ndihmë: +355 69 304 7928
