Shqipëria do të jetë në axhendën e diskutimeve të Bashkimit Evropian këtë të premte, më 13 nëntor 2026, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim.
Në Bruksel do të zhvillohet një mbledhje e Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE, ku do të shqyrtohen disa prej kapitujve të negociatave për Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit të Bashkimit Evropian, takimi mbahet në orën 10:00, në ndërtesën Justus Lipsius në Bruksel.
Për Shqipërinë, në rendin e ditës janë përfshirë diskutimet mbi qëndrimet e përbashkëta të BE-së për tre kapituj të rëndësishëm të negociatave.
Konkretisht, do të shqyrtohet Kapitulli 7, që lidhet me të drejtën e pronësisë intelektuale, Kapitulli 6 për të drejtën e shoqërive tregtare, si dhe Kapitulli 13, që përfshin peshkimin dhe akuakulturën.
Për secilin prej këtyre kapitujve është parashikuar një shkëmbim mendimesh mes përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe strukturave përkatëse të Bashkimit Evropian.
Në të njëjtën mbledhje, një pjesë e konsiderueshme e diskutimeve do t’i kushtohet edhe Malit të Zi, për të cilin janë përfshirë nëntë kapituj të negociatave, mes tyre transporti, energjia, taksimi, shërbimet financiare, drejtësia, të drejtat themelore dhe mjedisi, informon A2.
Gjithashtu, në rendin e ditës është përfshirë edhe një propozim për mbështetjen e Forcave të Armatosura të Malit të Zi përmes Instrumentit Evropian të Paqes.
Një tjetër pikë e rëndësishme e takimit do të jetë prezantimi dhe diskutimi i projekt-konkluzioneve të Këshillit për Zgjerimin, të cilat lidhen me ecurinë e procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate.

