Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Taksimetri”, duke arrestuar dy persona, të cilët lëviznin me taksi nga Kruja drejt kryeqytetit. Njëri prej tyre, një 30-vjeçar nga Thumana, u kap me armë zjarri pistoletë dhe municion, të cilin e mbante pa leje.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas administrimit të një informacioni në rrugë operative për një shtetas që dyshohej se po udhëtonte i armatosur drejt Tiranës.
Taksia me të cilën udhëtonin dy personat u ndalua në rrugën “Sami Frashëri”. Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me 15 fishekë, që mbahej nga 30-vjeçari me inicialet P. Sh., banues në Thumanë.
Në pranga përfundoi edhe pasagjeri tjetër, 25-vjeçari R. H., gjithashtu banues në Thumanë, i cili dyshohet se nuk ka kallëzuar krimin, megjithëse ishte në dijeni të armës që posedonte bashkudhëtari i tij.
Sipas policisë, të dy të arrestuarit, të cilët rezultojnë me precedentë penalë, kanë kundërshtuar me dhunë efektivët gjatë shoqërimit dhe kryerjes së veprimeve procedurale. Ata kanë dëmtuar gjithashtu ambientet e dhomës së shoqërimit në komisariat.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
