Prokuroria e Fierit ka zbardhur një skemë të dyshuar mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh, përmes së cilës janë tjetërsuar 44.100 metra katrorë tokë shtetërore. Me kërkesë të saj, Gjykata ka vendosur masën “Arrest në burg” për tre zyrtarë të Kadastrës Fier dhe një notere. Për një tjetër punonjëse të institucionit janë caktuar masat “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Çështja nisi nga kallëzimi i një shtetasi, sipas të cilit një tokë në fshatin Povelçë të Fierit ishte regjistruar në emër të familjes së tij pa dijeninë dhe miratimin e saj. Verifikimet ngritën dyshimin se prona, e regjistruar më parë si pronë shtetërore, kishte kaluar në emër të familjes përmes dokumenteve me përmbajtje të falsifikuar.
Të lidhura
None found
Sipas Prokurorisë, në këtë proces është përdorur një certifikatë pronësie e dyshuar si e falsifikuar, si edhe një kartelë pasurie ku vërehen ndërhyrje fizike, fshirje e mbishkrime. Pjesë e dokumentacionit kanë qenë edhe dy prokura noteriale, për të cilat dyshohet se firmat janë marrë në fletë të bardha. Njëri prej personave që figuron të jetë paraqitur te noterja ndodhej jashtë Shqipërisë kur u hartua prokura.
Hetuesit dyshojnë se të dhënat e regjistrimit të një prone tjetër, me sipërfaqe 4.000 metra katrorë, janë shfrytëzuar për të kaluar në emër të familjes 44.100 metra katrorë tokë, pa ekzistuar titull pronësie për këtë sipërfaqe.
Dokumentacioni kadastral është lëshuar më 25 janar 2023. Pesë ditë më pas, më 30 janar, prona është shitur.
Blerësit e morën tokën për 88.200 euro, me synimin për të ndërtuar një park fotovoltaik. Hetimet tregojnë se shuma kaloi në llogarinë bankare të përfaqësuesit me prokurë, por nuk iu dha pronarëve që figuronin si shitës. Ka dyshime edhe se çmimi i shënuar në kontratë nuk pasqyronte vlerën reale të shitjes.
Një tjetër episod i përfshirë në hetim lidhet me periudhën pas kallëzimit: përfaqësuesi me prokurë dyshohet se u dha të dëmtuarve 15.000 euro në para të gatshme që të tërhiqnin denoncimin.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e ish-drejtorit të Kadastrës Fier, hetuesit gjetën në një sirtar të kyçur shtatë zarfe me para, të shënuara me emra dhe shënime të ndryshme. U sekuestruan gjithsej 31.720 euro, 608.000 lekë, 5.000 korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. Në banesë u gjetën gjithashtu 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë për armë gjahu.
Hetimi përfshin ish-kreun e Njësisë Administrative, ish-drejtorin e Kadastrës Fier, një specialist jurist, një notere dhe një specialiste hartografe. Në varësi të rolit të secilit, ata dyshohen për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Prokuroria e Fierit njofton se hetimet vijojnë. Po verifikohet nëse kjo skemë është përdorur edhe për prona të tjera shtetërore, si dhe po punohet për të identifikuar personat e përfshirë e për të përcaktuar përgjegjësinë penale të secilit.








