Vrasja e Gentianës, nis procesi gjyqësor. Fëmijët paraqiten si palë civile kundër babait të tyre. Në bankën e të akuzuarve është Nikollaq Hudhra, ish-bashkëshorti i viktimës, i cili dje nuk ishte i pranishëm në gjykatë. Gjithçka do të varet nga aftësia e tij për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta në momentin e krimit.
Nga Chiara Marinelli, IL RESTO DEL CARLINO
Ka nisur dje, përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda procesi gjyqësor për vrasjen e Gentiana Kopilit, 45-vjeçares që punonte si kujdestare, e cila u vra në mes të rrugës në Tolentino të Italisë nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra, rreth orës 20:00 të datës 14 qershor 2025.
Në sallën e gjyqit nuk ishte i pranishëm i pandehuri, 56 vjeç, punëtor bujqësie me shtetësi shqiptare, i akuzuar për vrasje me dashje në rrethana rënduese. Ai përfaqësohet nga avokatët Sergio Del Medico dhe Silvia Vigoni.
Kur njëri prej djemve të çiftit, i cili kishte ardhur në gjykatën e Maceratës nga Tolentino, mori vesh se babai i tij nuk ndodhej në sallë, vendosi të largohej.
Në seancën e ardhshme, të caktuar për datën 26 nëntor, në orën 09:00, do të dëgjohen dy djemtë, Samuel dhe Mario, si dhe vëllai i Gentianës, Arturi.
Ndërkohë, gjatë seancës së djeshme, të dy djemtë u paraqitën zyrtarisht si palë civile në proces, me përfaqësimin e avokatit Guglielmo De Luca.
Gjithashtu, u administrua dosja e prokurorit, e cila përmban, ndër të tjera, edhe raportet mjekësore të Hudhrës. Ky i fundit prej kohësh ishte i bindur se ish-bashkëshortja e tij, Gentiana, dëshironte ta helmonte.
Ende nuk është administruar një dokument i shkruar me dorë në gjuhën shqipe, i cili u sekuestrua në makinën e të pandehurit ditën e vrasjes.
“Në seancën e ardhshme do të dëgjohen dëshmitarët e palës civile. Më pas do të zhvillohet një seancë tjetër për të marrë në pyetje ekspertët e palëve dhe ekspertin e caktuar nga gjykata gjatë procedurës së sigurimit të provës. Pas kësaj do të caktohet një seancë tjetër për diskutimet përfundimtare”, shpjegoi Enrico Riccioni, prokurori që koordinoi hetimet.
“Dy djemtë janë paraqitur si palë civile në proces”, shpjegoi pas përfundimit të seancës avokati Guglielmo De Luca.
“Vetëm njëri prej djemve u paraqit në sallën e gjyqit. Kur konstatoi se babai nuk ishte i pranishëm, pasi për arsye të ndryshme nuk ishte bërë i mundur transportimi i tij në gjykatë, ai vendosi të mos merrte pjesë në seancë, i zhgënjyer.
Ai nuk e ka parë më babanë që nga dita e ngjarjes dhe kjo ishte një mundësi për ta takuar. Besoj se kishte diçka për t'i thënë.
Në seancën e ardhshme do të thirren për të dëshmuar të dy djemtë, të cilët janë paraqitur si palë civile, si dhe vëllai i viktimës, i cili banon në Shqipëri.
Deri më tani, të dy djemtë janë marrë në pyetje vetëm në kuadër të deklarimeve paraprake si dëshmitarë. Pra, kanë dhënë deklaratat e tyre.
Megjithatë, ata nuk kanë pasur mundësinë të japin shpjegime të hollësishme për marrëdhënien që ekzistonte mes viktimës dhe të pandehurit përpara ngjarjes, veçanërisht gjatë periudhës së ndarjes së tyre, e cila në njëfarë mënyre u bë shkaku kryesor i gjithçkaje që ndodhi më pas”.
Pas datës 26 nëntor do të caktohet një seancë tjetër, gjatë së cilës do të dëgjohen psikiatër dhe persona që kanë qenë të përfshirë në fazën e hetimeve paraprake dhe në procedurën e sigurimit të provës.
Mes tyre janë profesori Gabriele Borsetti, ekspert i mbrojtjes, dhe psikiatri Luciano Secchiaroli.
Procesi gjyqësor do të përqendrohet te aftësia e të pandehurit për të kuptuar dhe për të dashur, pra për të kontrolluar veprimet e tij, si përpara ashtu edhe pas vrasjes.
Nga ekspertiza e kryer nga mjeku Seçhiaroli kishte rezultuar se aftësia e Hudhrës për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e tij në momentin e ngjarjes: “Ishte dobësuar ndjeshëm, por nuk ishte përjashtuar plotësisht”.
Në fillim të procesit të ndarjes, Gentiana e kishte denoncuar ish-bashkëshortin për keqtrajtim.
Mbrëmjen e 14 qershorit ai i ishte nisur drejt saj me një skuter elektrik. Më parë kishte qenë në Tolentino për të kaluar pak kohë me dy djemtë e tyre.
Me vete kishte marrë edhe një thikë kuzhine me teh 18 centimetra, të cilën e kishte fshehur brenda një qeseje.
Ai e goditi Gentianën nga pas me 22 goditje me thikë.
Më pas, kur ajo ndodhej përtokë, i dha edhe një shqelm në kokë.
Pasi e vrau, nën sytë e kalimtarëve, Hudhra u ul në një stol përballë trupit të pajetë të ish-bashkëshortes.
“Unë e bëra”, thuhet se kishte deklaruar ai.
Më pas u kap nga karabinierët dhe u shoqërua në kazermë, ku pranoi krimin, duke deklaruar se e kishte bërë për të mbrojtur fëmijët e tij.
Sipas hetimeve, ai kishte planifikuar dhe tentuar ta zinte në pritë Gentianën edhe dy ose tri herë të tjera, por, siç kishte deklaruar vetë, “nuk ishin krijuar kushtet e duhura”.
© SYRI.net