29 tetor. Sofje. Ka rënë nata dhe dhjetëra njerëz janë mbledhur përpara ambasadës ruse për ta dënuar kryeministrin e tyre si një “shërbëtor të Putinit”.
Kryeministri është Rumen Radev, i cili erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të parakohshme, të zhvilluara si pasojë e protestave masive në fund të vitit të kaluar. Tani, disa prej atyre që morën pjesë në protestat e atëhershme po protestojnë sërish, duke thënë se duan ta dërgojnë Radevin “në Siberi”.
Protestuesit janë të zemëruar me ngurrimin e Radevit për ta identifikuar Moskën si autoren e mundshme të sulmeve të fundit me dronë në zonën detare të Bullgarisë, në Detin e Zi.
Megjithatë, skena të kujton në mënyrë të habitshme atë të një viti më parë. Deputetët që ulen në parlament mund të kenë ndryshuar, por pakënaqësia e qytetarëve ndaj korrupsionit të rrënjosur thellë dhe elitës politike që nuk gëzon besimin e tyre mbetet e njëjtë.
“Situata nuk është as më e mirë, as më e keqe. Është thjesht e njëjta”, tha Vesislava Tancheva, zëdhënëse e organizatës qytetare “Bashkimi i Bullgarëve për një Qëllim”, e cila qëndron pas protestës përpara ambasadës ruse dhe që kishte organizuar protesta edhe kundër qeverisë së mëparshme. Organizata njihet me akronimin BOETS, që në gjuhën bullgare do të thotë “luftëtar”.
Megjithatë, një gjë ka ndryshuar – përmasat e protestave.
Në nëntor dhe dhjetor të vitit 2025, dhjetëra mijëra bullgarë dolën në rrugë në të gjithë vendin. Rënia e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga partia e qendrës së djathtë GERB, forca politike dominuese në Bullgari që prej vitit 2008, u paraqit në raportimet mediatike si një histori suksesi.
Aleksandar Tanev, një student 22-vjeçar i drejtësisë, e pa nga afër se sa shpejt mund të mobilizohet Gjenerata Z. Pas disa demonstratave, ai dhe disa studentë të tjerë themeluan organizatën Studentët Kundër Mafies. Shumë shpejt, ata u përmbytën nga kërkesat e të rinjve nga i gjithë vendi që dëshironin t’u bashkoheshin.
Një vit më vonë, megjithatë, Tanev thotë se “kjo nuk ishte e mjaftueshme”.
“Kjo mënyrë e korruptuar qeverisjeje që ka drejtuar Bullgarinë për më shumë se 15 vjet, është përgjegjëse për qytetet tona, rrugët tona dhe arsimin tonë”, tha Tanev pwr BIRN. “Ata janë fajtorë, por ne votojmë për ta. Duhet ta kuptojmë përgjegjësinë tonë.”
Të njëjtin qëndrim ndau edhe Asen Lazarov, 27 vjeç, një tjetër prej të rinjve që dolën në rrugë vitin e kaluar dhe bashkëthemelues i organizatës joqeveritare Politika Aktive, e cila synon ta bëjë politikën më të qasshme për të rinjtë.
“Protestat janë një mënyrë për të shprehur pjesëmarrjen tuaj demokratike, por ato nuk duhet të jenë hapi i fundit”, tha ai. “Duhet të kërkojmë më shumë nga politikanët që kemi zgjedhur.”
Në një kohë kur lëvizjet shoqërore në Francë, Shqipëri, Spanjë apo Serbi po sfidojnë establishmentin politik, Bullgaria ofron një rast studimor domethënës.
Qeveritë ndryshojnë, sistemi mbetet


Ishte një projektbuxhet ai që shkaktoi demonstratat e fundit të vitit 2025.
Por ato “u shndërruan shpejt në protesta kundër sistemit”, tha Dimitar Keranov, politolog dhe studiues i ftuar në German Marshall Fund.
Është pikërisht ky sistem që e ka bërë Bullgarinë një nga vendet më të varfra dhe më të korruptuara anëtare të Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të Komisionit Evropian dhe Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të organizatës Transparency International.
Kur qeveria e drejtuar nga GERB dha dorëheqjen më 11 dhjetor 2025, BOETS paralajmëroi: “Beteja nuk ka përfunduar, pjesa më e vështirë sapo ka nisur.”
Në prill të këtij viti, bullgarët votuan në zgjedhjet e tyre të teta parlamentare brenda pesë vitesh.
Partia e sapokrijuar Bullgaria Progresiste fitoi me një rezultat dërrmues, nën drejtimin e Radevit, një ish-pilot luftarak, i cili kishte shërbyer si president që prej vitit 2017, përpara se të jepte dorëheqjen në janar, në prag të zgjedhjeve. Pas vitesh me koalicione shumëpartiake jetëshkurtra, Radevi arriti të formonte një qeveri të qëndrueshme.
“Strategjia e tij ishte shumë e mirë”, tha Keranov. “Ai i kënaqi votuesit me prirje pro-ruse, por edhe ata pro-evropianë, duke mos mbajtur një qëndrim të qartë për shumë çështje.”
Partitë opozitare, kryesisht koalicioni pro-evropian Ne Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike, kishin qenë në qendër të protestave të fundit të vitit 2025, por nuk arritën të përfitonin nga kjo mbështetje në zgjedhje.
“Radevi e shfrytëzoi mobilizimin për të zënë pozicionin kryesor dhe shumë njerëz besuan tek ai”, tha Tanev. Megjithatë, ai ishte vetë pjesë e establishmentit politik.
“Radevi është produkt i të njëjtit mjedis politik që pretendon se dëshiron të çmontojë”, tha Keranov. “Sistemi në thelb mbetet i pandryshuar.”
Në fakt, si president, Radevi kishte zyrtarisht vetëm kompetenca ceremoniale, por, për shkak të paqëndrueshmërisë politike, ai emëroi disa qeveri të përkohshme, anëtarët e të cilave sot përbëjnë bërthamën e kabinetit të tij si kryeministër.
Zhgënjimi


Në nëntor, bullgarët votuan sërish, këtë herë për të zgjedhur presidentin që do të pasonte Radevin.
Iliana Iotova, zv/presidente e Radevit që prej vitit 2017, fitoi zgjedhjet, por pjesëmarrja në votime ra ndjeshëm, duke arritur vetëm në 29,1 për qind, ndërsa në raundin e parë ishte edhe më e ulët. Gjashtë muaj më parë, në zgjedhjet parlamentare, kishin votuar rreth 51 për qind e qytetarëve.
“Interesi për politikën ka filluar të bjerë”, tha Tanev.
Gjatë protestave të fundit të vitit 2025, sipas tij, “të gjithë e kuptuan se ishte e nevojshme të ishin aty”. Motoja e organizatës Studentët Kundër Mafies ishte që “aktiviteti protestues të shndërrohej në aktivitet elektoral”.
Ai pranon se kjo ka qenë e vështirë.
Për organizatën Politika Aktive, ky realitet është shqetësues: pjesëmarrja e ulët në zgjedhje do të thotë se “aktorët politikë të përfshirë në korrupsion ose në blerjen e ndikimit politik mund të ushtrojnë pushtet në mënyrë joproporcionale”, tha Lazarov.
Në Serbi, studentët që udhëhoqën protesta për muaj të tërë, pas shembjes tragjike të një strehe prej betoni në një stacion hekurudhor të saporinovuar, i përkthyen kërkesat e tyre në një listë me 250 kandidatë të pavarur për parlament. Kjo listë fitoi zgjedhjet e 25 tetorit, duke i dhënë fund 14 viteve të qeverisjes së Partisë Progresive Serbe. Aktualisht, kandidatët po zhvillojnë diskutime për të zgjedhur kryeministrin dhe kabinetin qeveritar.
Në Bullgari, tha Keranov, “energjia që rrëzoi qeverinë në dhjetor nuk ka gjetur një përfaqësim politik të qëndrueshëm”.
Shumë prej atyre që u mobilizuan dhe u përfshinë në jetën politike po rikthehen gradualisht në gjendjen e “zhgënjimit”, tha ai. Të tjerë thjesht nuk besojnë se votimi mund ta ndryshojë status quo-në.
“Këtu, njerëzit zhgënjehen shumë shpejt nga politikanët, sepse nuk shohin asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit apo në ndryshimin e rregullave”, tha Tancheva nga BOETS.
Sipas Keranovit, Bullgaria dëshmon “si fuqinë, ashtu edhe kufijtë e këtyre lëvizjeve”.
“Mund ta rrëzosh qeverinë, por sfida e vërtetë është sistemi që qëndron pas saj”, tha ai pwr BIRN.
Tanev tha: “Së bashku jemi shumë të fuqishëm. Problemi lind kur duhet ta shndërrojmë këtë fuqi në ndryshim konkret.”
Të mos dorëzohesh
Keranov, Lazarov dhe Tanev këmbëngulin se protestat e fundit të vitit 2025 nuk kanë qenë të kota.
Deri në njëfarë mase, ato ndryshuan “mentalitetin” e shoqërisë bullgare, veçanërisht atë të Gjeneratës Z.
“Njerëzit janë të zhgënjyer, por energjia e protestave nuk ka humbur në vetvete”, tha Keranov.
Megjithatë, do të duhej një ngjarje e re, e ngjashme me projektbuxhetin e paraqitur në vitin 2025, për të mobilizuar sërish një numër kaq të madh njerëzish.
Ashtu si protestuesit e mbledhur përpara ambasadës ruse, edhe bullgarët vazhdojnë të protestojnë, ndonëse në përmasa shumë më të vogla.
Janë organizuar demonstrata kundër planit të shpenzimeve të qeverisë për vitin 2027, me pretendimin se ai do të ulë edhe më tej standardin e jetesës.
“Bullgarët po shohin se si paratë e tyre po përlahen dita-ditës”, tha Lazarov.
“Këtë vit, kostoja e jetesës është dyfishuar, ndërsa pagat tona kanë mbetur të njëjta”, tha Viktoria, një banore 32-vjeçare e Sofjes.
Edhe politika e jashtme e qeverisë po shkakton shqetësim.
Për shembull, BOETS ka udhëhequr disa protesta gjatë javëve të fundit për shkak të mënyrës se si Radevi dhe Iotova kanë trajtuar sulmet e fundit me dronë në Detin e Zi, si dhe qëndrimin e tyre më bashkëpunues ndaj Moskës.
Tanev, bashkëthemeluesi i organizatës Studentët Kundër Mafies, tha se mbetet optimist.
“Tani njerëzit e kuptojnë deri diku se përse është e rëndësishme të protestosh”, tha ai.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse nuk ka ndryshime reale nga drejtuesit e vendit, ai u përgjigj:
“Ne do të vazhdojmë.”






