Tjetërsuan 44 mijë metra katror tokë shtetërore në Fier, në burg 3 ish-zyrtarë të Kadastrës dhe një notere
Një skemë e dyshuar tjetërsimi të pronës shtetërore është zbardhur nga Prokuroria e Fierit. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 44.100 metrash katrorë tokë në fshatin Povelçë, e cila dyshohet se është kaluar në pronësi private përmes dokumenteve të falsifikuara dhe abuzimit me detyrën.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për tre ish-zyrtarë të Kadastrës Fier D.SH., ish-kryetar i njësisë administrative, Arben Voja, ish-drejtor i Kadastrës Fier, F.B., ish-specialist jurist në Kadastrën Fier dhe A.H., notere në Fier . Ndërkohë, për A.J., ish-specialiste hartografe në Kadastrën Fier është vendosur masa “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Sipas hetimeve, toka, e regjistruar fillimisht në Librin e Ngastrave në pronësi të shtetit, është kaluar në pronësi private përmes një zinxhiri dokumentesh me përmbajtje të dyshuar të rreme. Për këtë qëllim dyshohet se është përdorur një certifikatë pronësie e falsifikuar, një kartelë pasurie me ndërhyrje fizike dhe dy prokura noteriale, ku nënshkrimet pretendohet se janë marrë në fletë të bardha.
Prokuroria dyshon se në skemë janë përfshirë ish-drejtues dhe specialistë të Kadastrës Fier, si dhe një notere. Pas regjistrimit të tokës në emër të një familjeje, prona i është shitur personave të tretë, të cilët synonin ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Kontrata e shitjes është lidhur më 30 janar 2023, kundrejt shumës prej 88.200 eurosh. Kjo shumë është kaluar në llogarinë bankare të përfaqësuesit me prokurë dhe, sipas hetimeve, nuk u është dorëzuar pronarëve që figuronin si shitës.
Gjatë kontrolleve në banesën e njërit prej personave nën hetim, policia ka sekuestruar 31.720 euro, 608 mijë lekë, 5 mijë korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. Gjithashtu, janë gjetur dhe sekuestruar 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë arme gjahu.
Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se pas kallëzimit, njëri prej të dyshuarve i ka dorëzuar familjes së dëmtuar 15 mijë euro cash, me qëllim tërheqjen e kallëzimit.
Prokuroria bën me dije se dyshimet lidhen me veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Hetimet vijojnë, pasi dyshohet se me të njëjtën skemë mund të jenë tjetërsuar edhe prona të tjera në pronësi të shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




